Në një operacion të realizuar nga Policia e Sarandës, është bërë i mundur arrestimi i 1 personi të shpallur në kërkim për veprën penale të trafikut të drogës. Sipas të dhënave të bëra publike nga zyra e shtypit e Policisë së këtij qyteti, bëhet fjalë për shtetasin H.XH, 41 vjeç, banues në fshatin Bregas, Finiq. Mësohet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë kishte vendosur mbi të ndaluarin masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shkak të njehsimit të vendimit të marrë në vitin 2015 nga Gjykata Greke, që dënoi këtë shtetas me 12 vite burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Ndërsa, shërbimet e Policisë së Selenicës, kanë vënë në pranga një shtetas tjetër të shpallur në kërkim, A.M., 29 vjeç, banues në fshatin Rexhepaj. Në mënyrë të ngjashme, mbi të ndaluarin rëndonte dënimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me 3 vjet e 2 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe atyre sportive”.