Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim për gjyqtarin Admir Thanza, i cili akuzohet se ka kryer falsifikim të formularit të dekriminalizmit.
Mësohet se gjyqtari nuk kishte deklaruar në formular një vendim të formës së prerë të gjykatave italiane dhënë në vitin 1999, sipas të cilit Thanza do të shlyente dënimin për veprën penale të vjedhjes me 40 ditë burg shoqëruar me sanksionin e 100 mijë liretave. Megjithatë, gjyqtari e ka mohuar konsumimin e kësaj vepreje penale, duke rrëfyer se ai kishte marrë përsipër krimin e ish-kunatës së tij, me qëllim që të shpëtonte jetën e nipit të sëmurë, i cili po kurohej në Itali nga një sëmundje e rëndë.
Fshehja e dënimit për vjedhje u konstatua gjatë procesit të Vetitng-ut, ku Këshilli i Pavarur i Kualifikimit vendosi për shkarkimin e Thanzës. Më tej, organi i akuzës nisi menjëherë hetimet, pas shkarkimit të gjyqtarit edhe si rezultat i problemeve që u hasën me kriterin e pasurisë.
Admir Thanza nisi karrierën e tij si gjyqtar në vitin 1992 në Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë të Shkodrës. Po ashtu, Thanza ka ushtruar edhe profesionin e akademikut në Universitetin e Drejtësisë.
Seanca e radhës ndaj ish-gjyqtarit është parashikuar të mbahet më datë3 31 maj, kur pala mbrojtjëse do të paraqesë konkluzionet e saj.