Mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është shoqëruar me debate midis përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike (PD), Njazi Kosovrastit, dhe anëtarit të organit zgjedhor, Denar Bibës. Shkak i debatit është bërë kërkesa e PD për të pasur komisionerë në KZAZ-të përkatëse, pavarësisht vendimit mbarëopozitar për të bojkotuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Biba e ka konsideruar kërkesën e demokratëve si të barazvlefshme me rolin vëzhgues të gazetarëve, si një subjekt jozgjedhor. Ndërsa, në kundërpërgjigje, Kosovrasti, ka përligjur kërkesën me argumentin se PD përbën një parti parlamentare.
Pjesë nga debati:
Biba: Zoti Kosovrasti, interesimi juaj kur nuk jeni subjekt zgjedhor ështe i njëjtë me atë të gazetarëve...
Kosovrasti: Sipas jush nuk duhet të jem unë këtu. Sipas jush PD duhet të vijë vetëm për të parë?
Biba: Intensiteti i ndërhyrjeve tuaja më duket i tepruar se nuk jeni subjekt zgjedhor. Jeni regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit?
Kosovrasti: Ç’punë keni ju, jemi parti parlamentare.
Biba: Unë qëndrova në elementin administrativ.
Kosovrasti: Nuk e vendosni ju masën e ndërhyrjeve te mia.
Sakaq, ditën e djeshme, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka shpjeguar se arsyeja e propozimit të anëtarëve që i takojnë demokratëve në KZAZ, bazohet në informacionet e selisë blu dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), se në KZAZ po kryhet manipulim i procesit zgjedhor.