Në një intervistë të dhënë për televizionin serb “TV Pink”, kryeministri Edi Rama, është shprehur se ka ardhur koha që shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, pavarësisht se jetojnë në dy vende të ndryshme, të bashkohen. “Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë vëllezër që tani jetojnë në dy vende të ndryshme dhe duhet të bashkohen.”- ka thënë numri një i ekzekutivit shqiptar për median serbe, duke shtuar se nuk ka folur kurrë për një "Shqipëri të Madhe", term që sipas tij është përdorur kundër shqiptarëve. Bashkimi për kryeministrin i shërben procesit integrues të të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Gjatë intervistës, Rama ka theksuar se përkrah idenë e një rajoni të hapur, që të mos mbetet i izoluar për shkak të kufijve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Nuk e dua kufirin me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë. Duhet të punojmë për ta bërë atë të ndodhë.”- është shprehur kryeministri.
Lidhur me çështjen “nevralgjike” të njohjes së pavarësisë së Kosvës, Rama ka përsëritur qendrimin e tij të mëparshëm, duke u shprehur se Kosova sovrane është një realitet që Serbia duhet ta pranojë. “Nevoja për pajtim është e pashmangshme, dhe sa më shumë Serbia vazhdon të besojë në këtë ëndërr se kjo nuk ka ndodhur ose se ajo mund ta parandalojë atë, do të jetë më e dhimbshme për të gjithë”-ka thënë shefi i qeverisë, duke theksuar se shqiptarët dhe serbët duhet të kishin bërë më shumë për Ballkanin Perëndimor, ashtu sikurse shërbeu pajtimi franko-gjerman për Evropën.
Ndërkaq, kreu i shtetit serb, Aleksandër Vuçiç, pas përfundimit të Samitit të Brdo-Brijunit që u mbajt 4 ditë më parë në Tiranë, ka treguar për mediat serbe mbi bisedat që pati zhvilluar me homologun e tij, presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin Rama, gjatë dy ditëve të vizitës së tij në Tiranë. “Unë iu thashë atyre, mblidhni mend, ju duhet t’i drejtoheni dialogut, sepse ky nuk është një teatër ku ju flisni për ëndrra rreth bashkimit kombëtar.”- është shprehur Vuçiç për “Novosti”-n, lidhur me deklarimet për një unifikim të mundshëm kombëtar.