Kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur ditën e sotme se e gjithë Europa po jep mesazhin se pa PD-në nuk do të ketë zgjedhje.
"E gjithë Europa e ka kuptuar! Brenda 48 orëve, mesazhet që variojnë nga Londra, Brukseli e Parisi, e bëjnë të qartë:
Zgjedhje pa Partinë Demokratike, nuk janë demokratike dhe nuk do të pranohen.
Zgjedhje pa ndëshkuar politikanët që bashkëpunuan me krimin e organizuar për të vjedhur dhe shkatërruar vullnetin e qytetarëve të vitit 2017-të, në zgjedhjet parlamentare, nuk ka për të patur.
Hapja e negociatave, hapja e rrugës tonë drejt Europës, që është objektivi më i rëndësishëm i demokratëve shqiptarë dhe i shumicës dërmuese të shqiptarëve, sot kërcënohet qartë, jo vetëm nga krimi dhe korrupsioni i Edi Ramës, nga pandëshkueshmëria e tij dhe e ministrave të tij, por siç e kanë thënë dy ditë rradhazi, dy personalitetet nga më me peshë të Bundestagut gjerman:
“Pa shkuar në burg atë që vodhën votat e shqiptarëve në vitin 2017-të, nuk ka hapje negociatash” u shpreh Basha.
300 të rinj nga shtetet anëtare të BE-së sipas Bashës do të jenë të pranishëm në protestën e nesërme të opozitës që nis në orën 18:30.
"Ky vetëdijësim, mori një formë të re sot në Tiranë, këtë mëngjes, në një sallë të mbushur njësoj si kjo, me mbi 300 të rinj e të reja nga të gjithë vendet e Bashkimit Europian, të një shoqata zyrtare të studentëve të Partisë Popullore Europiane, partisë tonë nënë, të cilët krah për krah me studentët demokratë dhe me të rinjtë demokratë, kanë përqafuar kauzën tonë: “Për Shqipërinë si gjithë Europa”, për zgjedhje të lira e të ndershme, për ndarjen dhe balancimin e pushteteve, të cilët e kuptojnë fare mirë, se beteja jonë nuk bëhet thjeshtë dhe vetëm për pushtet, por bëhet pikërisht për të hapur atë derë që ka mbyllur Edi Rama. Dhe për këtë arsye, janë në krahun e rinisë shqiptare, janë në krahun e studentëve shqiptarë të të gjithë Shqipërisë.
Nesër në orën 18.30, këta të rinj europianë nga të gjithë vendet e BE-së, do të jenë në krahun tuaj, në protestën tonë, në goditjen tonë vendimtare kundër tiranisë së krimit, kundër tiranisë së korrupsionit", tha Basha.