Në studion e emisionit “Opinion”, Hashim Thaçi foli për një episod të rëndësishëm të vitit 2002. Ai tha se një kryeministër shqiptar i ka shkuar në zyrë në vitin 2002 duke i prezantuar planin e kryeministrit serb të kohës, Zoran Gjingjiç për ndarjen e Kosovës.
“Një nga kryeministrat e Shqipërisë, në vitin 2002 ka ofruar projektin e Gjingjiçit për ndarjen e Kosovës. E kam nxjerrë nga zyra”, - tha Thaçi.
Me gjithë këmbënguljen e gazetarëve në studio për të thënë emrin e kryeministrit, Hashim Thaçi premtoi se do ta thotë një herë tjetër.
Në vitin 2002, Shqipëria ka pasur 3 kryeministra. I pari ka qenë Ilir Meta, i cili ka drejtuar qeverinë nga shtatori i vitit 2001 deri në 29 janar 2002. Më pas, kryeministër ka qenë Pandeli Majko në periudhën 22 shkurt 2002 – 25 korrik 2002, i pasuar nga Fatos Nano prej 29 korrikut e në vijim.
Emri i Zoran Gjingjiç u përmend edhe pak kohë më parë, pas një përplasjeje mediatike mes gazetarit Baton Haxhiu dhe Presidentit Ilir Meta. Haxhiu e akuzoi Metën për miqësinë me Gjingjiçin gjatë kohës që ka qenë kryeministër, por Meta iu përgjigj se ishte krenar për të.
“Jam shkumë krenar për miqësinë me kryeministrin e Serbisë në atë kohë, Zoran Gjingjiç […] Unë me Zoran Gjingjiç kam punuar për lirimin e shqiptarëve dhe ai ka thënë se ma ka kërkuar kryeministri i Shqipërisë.
Kur u vra ish-kryeministri Gjingjiç? Pavarësia e Kosovës kur u shpall, shumë kohë pas vrasjes? Atëherë si mund të diskutohej ndryshimi i kufijve kur Kosova ishte ende shtet?”, - tha Meta.