Sipas Lulzim Bashës, zgjedhje lokale nuk do të ketë më 30 qershor dhe se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Basha theksoi se data nuk është e parëndësishme por se më e rëndësishme është të mbahen zgjedhje me standarde. Ai deklaroi se kushti më minimal që ka opozita është që të mos ketë zgjedhje me Ramën kryeministër.
“Data e zgjedhjeve të parakohshme nuk është e parëndësishme por zgjedhje me Edi Ramën Shqipëria nuk do të ketë më, një përdhunues serial i zgjedhjeve, koka e sistemit me krimin duhet të shkojë para drejtës. Ai nuk meriton të marrë pjesë në zgjedhje por të paktën minimalisht ne duhet të kërkojmë se ai nuk mund të jetë kryeministër as i zgjedhjeve lokale, as i zgjedhjeve të përgjithshme. Ndaj kjo është betejë jetike dhe vendimtare për çdo shqiptar. Është e qartë se me 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale. Çdo tentativë për një proces false, një proces të imponuar nga krimi do të përballet me qëndresë madhështore lagje më lagje, qytet më qytet, zgjedhje farsë në Shqipëri më 30 qershor nuk do të ketë. Ndaj rruga e zgjedhjeve politike është e qartë.
Kur largimi nga vendi arriti dimensione të papara që nga vitet ‘90, arsyeja pse kemi ardhur në gjysmë të rrugës është puna e palodhur e demokratëve për të zgjuar shqiptarët se pa fitoren e zgjedhjeve të lira, asnjë betejë tjetër s’fitohet dot, as beteja për shëndetësinë, as beteja për arsimin.”, deklaroi i prerë Basha.