Protesta e djeshme prodhoi një reagim institucional dhe politik të menjëhershëm. Dhuna e djeshme në protestë, zhvendosja nga Kryeministria tek Paramenti dhe shashkat e hedhura drejt institucioneve dhe policisë, morën përgjigje nga kjo e fundit që prej mbrëmjes së djeshme me arrestime.
Sot, policia zyrtarisht deklaroi se ka arrestuar 37 protestues, ndërsa 61 persona janë proceduar. Mes personave që po ndiqet penalisht është edhe sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Policia njoftoi se gjatë protestës së djeshme kanë mbetur të lënduar nga veprimet e dhunshme 5 punonjës policie të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, policia lë të hapur mundësinë për arrestime dhe procedime të tjera. Njoftohet se vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë ushtruar dhunë dje.
Reagimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dje ishte i menjëhershëm. Duke vizituar policët e plagosur, ai deklaroi: "Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”.
Sot, Lleshaj mbajti një deklaratë para mediave sot duke theksuar se protesta e djeshme u zhvendos në mënyrë tinëzare nga kryeministria tek parlamenti, dhe se organizatorët kishin hartuar plan sulmi ndaj institucioneve të vendit.
“Pati më tepër dhunë, ky është një lajm i keq që tregon dëshpërimin e organizatorëve. Protesta e mbrëmshme u zhvendos në mënyrë të pabesë, tinëzare nga vendi ku ishte kërkuar tek kryeministri drejt parlamentit duke krijuar pasoja të rënda, duke përfshirë qytetarë të palidhur me protestën e duke sjell dëme. Nga ana e organizatorëve nuk ishin marrë asnjë masë për sigurinë e saj, nuk ishte shpenzuar asnjë burim njerëzor apo material që protesta të zhvillohej brenda hullisë ligjore. Përkundrazi nga organizatorët ishin marrë masa për të hartuar plan sulmi dhe për të përdorur dhunë kundër institucioneve kushtetuese. Gjatë protestës u konsumuan thirrje të hapura antikushtetuese, për dhunë, për revolucion”, deklaroi ministri i Brendshëm, i cili shtoi se reagimi i policisë ishte shembull dinjiteti. Sipas Lleshajt, organizatorët do të mbajnë përgjegjësi.
Policia dha shembull dinjiteti, dhunuesit një tjetër arsye për t’u braktisur nga çdo qytetar." - u shpreh ministri Lleshaj.
Por, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e selisë blu. Sekretari i Përgjitshëm i PD-së, Gazment Bardhi reagoi në mëngjes duke deklaruar se makina e djegur dhe policët e plagosur janë skenar i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili kërkon të mbulojë frikën e Edi Ramës.
Sipas Bardhit, pas grabitjes në Rinas, ky skenar është suksesi i dytë në tre ditë i Lleshaj. Sipas tij, maxhoranca është e tmerruar nga bashkimi i shqiptarëve. Edhe nga radhët e LSI, Petrit Vasili deklaroi se makina që u dogj dje ishte akt i mazhorancës.

Opozita mbajti ditën e djeshme protestën e 9-të të saj që nga 16 shkurti, datë që priu edhe djegien e mandateve të opozitës. PD, LSI dhe aleatët e vegjël shtrojnë si kusht të vetëm për normalitet largimin e Ramës, vendosjen e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare këtë vit. Nga ana tejtër, kryeministri nuk po lëshon nga pozicioni i tij.
Në dukje të parë kjo situatë i ngjan një loje nervash si ajo e shkurt-majit të vitit 2017, ku vetëm ardhja e diplomatëve me rëndësi dhe vëmendja e kancelarive më të fuqishme partnere të vendit arritën të ulnin palët në tryezë, me një marrëveshje që prodhoi zgjedhje, të anatemuara nga humbësit, zgjedhje që janë shkak i kësaj krize destabilizuese që vendi po has prej thuajse dy muajsh.
©LAPSI.al