Emocionet e cerekfinaleve të Champions League kanë filluar me fitoret në ndeshjet e vajtjes për Liverpool e Tottenham Hotspur, por tashmë radha është e pretendetëve të tjerë për trofeun: Manchester United që pren në Old Trafford Barcelonën dhe Juventus që shkon vizitor në Amsterdam përballë Ajax.
Në Teatrin e Ëndërrave vihet në skenë përplasja më emocionuese e këtyre sfidave: United prêt Barcelonën e Lionel Messi, me të cilën ka një hakmarrje për të kryer, atë të finales së humbur në 2009. Djajtë e Kuq kërkojnë të bëhen pjesë e skuadrave angleze që do të shkojnë në gjysëmfinale të turneut, ku Liverpool është i favorizuar të jetë bashkë me skuadrën fituese të euro derbit britanik.
Formacioni i Ole Gunnar Solskjaer pas ka përmbysur PSG në kthimin e 1/8 ka rritur besimin në potencialin që ka, ndërsa tashmë ka të rikthyer edhe pjesët më të rëndësishme të skuadrës, ku sytë janë mbërthyer tek Paul Pogba. Kundër katalanasve norvegjezi duket se është i tentuar të zgjedhë një ofensivë pa pika referimi, duke ulur Lukaku në pankinë, për një tredhëmbësh Lingard-Martial-Rashford.
Emocione dhe histori në Johan Cryff Arena kur përballë të kthehen Ajax e Juventus. Edhe këtu ndjesia e hakmarrjes mbizotëron tek hollandezët, që vijnë përballë armatës bardhezi me një grup të talentuar, por që duhet të bëjnë llogaritë me rikuperimin e Cristiano Ronaldos. Tekniku i kampionëve të Italisë është i shqetësuar vetëm për mungesën e Giorgio Chiellini, të dëmtuar.
Në anën tjetër Ajax ka rikuperuar Frenkie De Jong dhe ëndërron të përsërisë ndeshjen e madhe që e nxorri fitues kundër Real Madrid në 1/8 e finaleve. Një skenë ku i vëzhguar special do jetë kapiteni i “Heshtarëve” De Ligt, njeriu i merkatos në verën e ardhshme.