Flash

Sondazhi/ 63% nuk besojnë te Vettingu. Ç’lojë po luan Soros?

Lapsi.al 8 April 2019
Sondazhi/ 63% nuk besojnë te Vettingu. Ç’lojë po luan
Një njoftim diskret, që mban siglën e Fondacionit Soros, ka pa asnjë diskutim efektin e një bombe. Sipas tij, plot 63% e shqiptarëve nuk kanë besim se Vettingu i bërë në kuadër të reformës në drejtësi është i drejtë. Po kjo shifër e të anketuarve nuk besojnë se pas përfundimit të këtij procesi do të kemi një drejtësi të pastruar. “Gjëma” e këtyre shifrave bëhet edhe më e madhe po të shikosh se kush i ka bërë publike ato. Dokumenti mban poshtë nënshkrimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Fondacionit Soros, dy prej mbështetësve dhe propaganduesve më të mëdhenj të reformës në drejtësi. Por për të qënë të saktë dhe të drejtë duhet ta themi që në fillim, se pavarësisht nga ekzaltimi i kritikëve të reformës, qofshin këta opzitarë politikë apo kundërshtarë publikë, këto rezultate duhen marrë me rezervë. Organizatorët theksojnë se në këtë sondazh janë pyetur online vetëm 416 persona. Madje KShH e thekson vetë në komunikatën e saj se ky sondazh është kryer vetëm online dhe për rrjedhojë të dhënat nuk duhet të konsiderohen tërësisht të plota dhe as tërësisht të sakta. Gjithsesi, ajo që bën përshtypje është fakti se këto shifra anketimi janë publikuar edhe me pëlqimin e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur që e ka financuar atë. Pra “lajmi” nuk qëndron tek saktësia e shifrës në vetvete, por tek fakti se Soros ka dashur të hedhë në publik dyshime për dështimin e Vettingut dhe për humbjen e optimizmit se Reforma nuk po ngjall më besim tek shqiptarët (Çuditërisht numri i atyre që janë skeptikë, është pothuajse i njëjtë me numrin e atyre që duan të braktisin vendin si rezultat i mungesës së shpresës 62- 63%). Shumë interesante është të shihet se në komunikatë janë përfshirë edhe komente të njerëzve poshtë sondazhit, të cilët thonë se "në kontrollin e figurave përdoren “standarde të dyfishta” si në rastin e disa subjekteve, të cilët edhe pse nuk e kanë justifikuar pasurinë, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë". Ç'do të thotë kjo? Hipoteza e parë është se edhe konceptuesit e reformës në drejtësi, tashmë po ndërgjegjësohen se ajo u kap politikisht nga fijet e pushtetit të Ramës. Që kur ky i fundit erdhi në pushtet, Fondacioni Soros kishte gati reformën në drejtësi. Zbulimi nga grupimi DC Leaks i mijra emaileve të fondacionit të miliarderit që spekulon në bursa, treguan se ai kishte edhe një plan strategjik 2013- 2017 për ndryshimin e Kushtetutës së vendit tonë për të përmbysur sistemin e vjetër të drejtësisë. Në dokumentin e bërë publik gjendeshin shprehje si “është koha e duhur për Fondacionin për të kapur momentin dhe filluar shtytjen për reformën kushtetuese”, Fondacioni “është organizata më e mirëvendosur në Shqipëri për të ndërmarrë këtë sfidë”. Lexo më tej:

Dokumenti që tregon se pas Reformës në Drejtësi qëndron Soros

Dhe kështu u bë. Të gjithë janë të njohur me seminaret e tryezat e punës, financimin dhe përzgjedhjen e specialistëve që bëri Soros për të çuar para reformën. Madje në dhjetor 2015 këtë e miratoi edhe vetë kreu i komisionit parlamentar Fatmir Xhafaj, i cili tha:“Një falënderim mirënjohjeje dua t’i shpreh Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros, Andit (Dobrusha, drejtor i fondacionit) dhe ekipit të tij të palodhur për suportin e fortë teknik e financiar, përcaktues për ecurinë e mbarë të procesit dhe padyshim nismëtar për nevojën për një projekt ndryshimesh kushtetuese në vend”. Eshtë pikërisht ky nismëtar i reformës që po u bie kambanave të alarmit për dështimin e saj, pasi ajo ka humbur besimin e publikut. Dhe një hipotezë e dytë se pse po e bën tani,  duhet kërkuar tek një formë kërcënimi. I bindur se Rilindja e ka kapur tashmë drejtësinë, Fondacioni Soros po i çon Edi Ramës një lajm. Botimi i një sondazhi pa vulën e saktësisë shkencore, mund të interpretohet si një paralajmërim. Nëse reforma kthehet në rrugën e duhur, kjo anketë mund të quhet fare kollaj një gabim. Nëse qeveria vazhdon në këtë rrugë, Soros nuk do të marrë vulën e turpit dhe po distancohet prej saj, duke u bërë i pari që tregon me shifra se shqiptarët nuk besojnë më tek vetting-u. ©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI