Flash

Independent/ "Pranvera Ballkanike", valë protestash kundra qeverive në Mal të Zi, Shqipëri dhe Serbi

Lapsi.al 7 April 2019
Independent/ "Pranvera Ballkanike", valë protestash kundra

E gjitha nisi me një video të postuar në rrjetet sociale: një regjistrim sekret i vitit 2016, që shfaq një manjat të mirënjohur lokal duke mbajtur dorën mbi një zarf me para, të cilin e ka për një bashkëpunëtor të partisë së udhëheqësit më të vjetër të Malit të Zi.

Biznesmeni i shquar, një ish-mik i ngushtë dhe i besuar i presidentit malazez Milo Gjukanoviç, publikoi videon në fund të vitit të kaluar si shenjë hakmarrjeje për akuzat e ngritura kundër tij për mashtrim dhe pastrim parash, të cilat e detyruan atë të largohej në Londër për të shmangur ndjekjen penale.

Manjati, Dushko Knezeviç, publikoi gjithashtu kohë pas kohe një seri dokumentesh që akuzonin presidentin dhe partinë e tij në pushtet për korrupsion, kronizëm dhe shpërdorim të detyrës, duke pretenduar se ai i kishte dërguar miliona dollarë Z. Gjukanoviç dhe partisë së tij në pushtet, kështu që autoritetet bënë "një sy qorr" ndaj bizneseve të tij të dyshimta.

"Çështja e zarfit" ka sjellë javë protestash kundër Gjukanoviçit, duke kërkuar dorëheqjen e një prej udhëheqësve më jetëgjatë në Europë, duke qëndruar rreth 30 vite në pushtet.

Demonstratat anti-qeveritare ndodhën në një kohë kur protesta të ngjashme po ndodhnin në Serbinë dhe Shqipërinë fqinje, ku demonstruesit po kërkojnë largimin e udhëheqësve të cilët ata i akuzojnë për sundim autokratik dhe korrupsion.

Shpërthimi pothuajse i njëkohshëm i lëvizjeve të forta anti-qeveritare në rajon ka nxitur diskutimet rreth një "Pranvere Ballkanike", emër i vendosur duke iu referuar valës së protestave dhe të revolucioneve në të gjithë botën arabe në vitin 2010, e cila u quajt "Pranvera Arabe".

Në Malin e Zi, Gjukanoviç ka kohë që akuzohet për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Videoja e fundit është parë si goditja më serioze ndaj sundimit të tij të deritanishëm.

Gjukanoviç i mohoi akuzat në një intervistë për Associated Press duke thënë se partitë e opozitës pro-ruse dhe "faktorët e huaj" fshihen pas protestave, edhe pse ato udhëhiqen zyrtarisht nga grupe qytetare.

Ai sugjeroi se protestat kanë për qëllim largimin e liderëve që janë pro-BE-së dhe krijimin e lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

"Unë mendoj se (në të gjithë Ballkanin) kjo në thelb nuk është një lëvizje "pranverore ", por një lëvizje e zymtë vjeshte," tha ai. "Ne po flasim këtu për përpjekjet për të ndaluar Ballkanin drejt anëtarësimit në BE. "

Organizatorët protestues të Malit të Zi këmbëngulën se demonstrimet përfaqësojnë një lëvizje të sinqertë qytetare pa ndonjë ndikim nga jashtë apo prej opozitës.

"Shkaku ishte ai zarf që u dha nga një biznesmen, i cili i përkiste zemrës së regjimit të ish- kryetarit të Podgoricës, me qëllim korruptimin e votuesve në zgjedhjet parlamentare të 2016-ës", tha Dzemal Peroviç, një organizator i protestave në kryeqytetin malazez.

"Qëllimi ynë është ndryshimi i regjimit", tha ai. "Një tranzicion paqësor për t'i ikur një regjimi të korruptuar që ka qenë në pushtet për 30 vjet dhe i cili i ka fituar zgjedhjet përmes rryshfetit dhe manipulimit".

"Cari Milo", siç e quajnë zakonisht në Mal të Zi, ka qenë gjithashtu një aleat i rëndësishëm i perëndimit sa i takon kundërshtimit të ndikimit rus në rajon si dhe për shkëputjen nga Sllobodan Millosheviç gjatë luftrave të viteve 1990.

Në Serbi, presidenti populist Aleksandar Vuçiç e ka portretizuar veten si një udhëheqës pro-evropian. Ai është përballur me akuzat për frenimin e lirive demokratike si dhe për censurë e ndikim në media. Tensionet politike u rritën muajin e kaluar kur protestuesit shpërthyen ndërtesën e televizionit shtetëror të zemëruar prej raportimeve të njëanshme.

Demonstruesit po kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç, zgjedhje të lira dhe media të paanshme, si dhe më shumë demokraci. Ata kanë planifikuar një protestë të madhe javën e ardhshme në Beograd dedikuar kërkesave të tyre.

Vuçiç i ka quajtur protestat si një përpjekje e opozitës për marrë pushtetin me forcë.

Partitë shqiptare opozitare qëndrojnë në rrugë që nga mesi i shkurtit duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohëshme. Opozita e qendrës së djathtë akuzon qeverinë e majtë të Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, gjë të cilën qeveria e mohon.

Këto protesta të përkrahura nga opozita shqiptare kanë qenë të dhunshme. Protestuesit vazhdimisht janë përpjekur të hyjnë në ndërtesën e parlamentit apo të qeverisë në Tiranë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe uj për t'i larguar ato.

"Të përbashkëtat e të gjithë këtyre protestave janë: Pakënaqësia e njerëzve me regjimet e gjata dhe të korruptuara, zemërimi i akumuluar me vite, nëse jo me dekada", tha analisti politik malazez Stevo Muk.

Përkthim nga Independent

Klajdi Thaçi

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI