Nga sfida me Laçin në kampionat, në kthimin e Kupës po kundër Laçit. Për Tiranën parashikohet një ndeshje e zjarrtë, për atë cfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes pas takimit 99 minutësh të mbyllur në 1-1 në kampionat, ku gjithcka doli jashtë kontrollit. Disiplina i dha një goditje të rëndë bardhebluve me 4 ndeshje pa tifozë dhe 5 ndeshje skualifikim për Michael Ngo’o, vendim që do të apelohet nga klubi, ndonëse Ardian Mema shpreh keqardhjen për këto lloj incidentesh: “Nuk duhet të ndodhin më – u shpreh tekniku - Do të bëjmë dhe llogaritë pa tifozë, por do të shohim si do të shkojnë ngjarjet. Mund që klubi të paguajë dhe përgjysmojë dënimin, apo edhe në sajë të apelit. Ngo ka ato të meta që ka. Të gjithë e dimë që në Shqipëri më shpejt mëson fjalë të këqija se sa të mira. Ka reaguar, por nuk duhet ta bënte. Ai është futbollist të shohë fushë, mënyrën se si të luajë”
Tirana është një nga skuadrat më të penalizuara për sa i përket dënimeve, por Mema ndonëse nuk ka ndërmend ta shohë si komplot, është i qartë në atë që thotë: askush nuk mund të godasë Tiranën pa marrë me vete pasojat: “Nuk mendoj se ka komplot kundër nesh, sepse të sulmosh Tiranën është si të sulmosh djepin e futbollit – sqaroi Mema -. Kjo është e tepërt të mendohet se po na sulmojmë, por nëse dikush po e bën, bën gabim fatal”.
Një 3-0 për të mbrojtur në Lac, por një tension për tu administruar, pas sherrit në hyrje të dhomave të zhveshjes. Kthimi i cerekfinales mund të jetë shumë më elektrizues se sa imponon rezultati. E Mema e bën të qartë se shkon për fitore… “Jemi klubi më i penalizuar, të paktën nga gjobat – tha Mema -. Ne futemi në fushë për të luajtur futboll dhe jo për të bërë grusht. Shpresojmë që në Laç të luhet futboll dhe të mos kemi presion, edhe pse besoj se do të jetë kështu. Ekipi është i qetë dhe do të shkojmë për fitore”.
Tirana e sheh të komplikuar tashmë situatën për mbijetesën dhe Mema nuk ngurron ta pranojë se frika është rikthyer, sidomos me katër ndeshje pa tifozët e tyre dhe me sulmuesin kryesor jashtë…