Deputët britanikë pritet të votojnë sot një pjesë të marrëveshjes së Brexit-it. Ky votim shihet si një përpjekje e fundme që kryeministrja Theresa May po bën për të mbajtur “në jetë” propozimin e saj dhe për të siguruar kështu një dalje të rregullt të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian në datën 22 maj.
Subjekt i votimit të sotëm do të jetë “Marrëveshja e Tërheqjes” që ka të bëjë me kushtet e çanëtarësimit të Britanisë,të cilat përfshijnë të drejtat e qytetarëve britanikë dhe të atyre evropianë, kufirin mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, si edhe vendosjen e një periudhe te majftueshme tranzicioni deri në shkëputjen përfundimtare të vendit nga Unioni. Ndërkohë që është veçuar nga votimi “Deklarata Politike”, e cila mbulon spektrin e rregullave mbi marrëdhëniet e ardhshme.
Nëse sërish nuk do mund të arrihet numri i mjaftueshëm i votave pro, Brexit-i do të zhvendoset në datën 12 prill. Për të shmangur një skenar “jo marrëveshje”, Londrës do t’i duhet të gjejë një rrugëdalje alternative përpara këtij afati. Një shtyrje e gjatë e procesit të Brexit-it do të përfshinte Britaninë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në fund të majit./ euronews