Mund të jetë ndeshja më e rëndësishme e sezonit, por Partizani nuk është në formën më të mirë të tij: kundër Kukësit në Loro Borici të kuqtë shkojnë me gjashtë, madje shtatë mungesa, sepse është rikthyer nga impenjimi me përfaqësuesen U21 i dëmtuar edhe Esat Mala. Mesfushori i rëndësishëm i skemave të Skënder Gegës është stërvitur i diferencuar dhe, me gjithë dëshirën e teknikut për ta patur në fushë, rrezikon seriozisht të mos jetë kundër Bluve.
Më keq nuk mund të shkonte për Gegën, që në ndeshjen që mund të mbyllte njëherë e mirë cështjen titull, shkon pa gjithë repartin e sulmit të padisponueshëm: Rubin Hebaj nuk ka rikuperuar, ndërsa Jurgen Bardhi është në dyshim të fortë për ndeshjen e të premtes.
Hektor Idrizaj dhe Bruno Telushi janë dy mungesat që diheshin në kampin e të kuqve, ndërkohë që dëmtimi i Dilaver Dukës (bashkë me të fundit të Malaj) e bëjnë repartin e mesfushës në emergjencë të plotë për Gegën. Në mbrojtje Partizanit do ti mungojë edhe Rexhepi, gjë që e ka detyruar teknikun të përziejë kartat krejtësisht në vigjilje të sfidës me veri lindorët e vendit të dytë, që momentalisht janë 9 pikë larg.
Një fitore do të bënte praktikisht të mbyllur historinë e titullit, i pari në palmaresin e të kuqve që nga sezoni 1992-93: me 9 ndeshje për tu luajtur, një nga të cilat e fituar në tavolinë me Kamzën, diferenca prej 12 pikësh do të ishte një garanci e plotë për të mbajtur duart tek titulli. Në anën tjetër, Kukësi, në rast suksesi, do të afrohej në 6 pikë, duke e bërë shumë të hapur garën, me llogarinë edhe të një tjetr ndeshje direkte në fazën e katërt.