Shpresat e vakta për një Shqipëri ndryshe nga ajo e Ligës së Kombeve u fashitën në debutimin e skuadrës së Christian Panucci në kualifikueset e Euro 2020, nga ku dolëm të dërrmuar 0-2 përballë Turqisë. Pretendimet për tu kualifikuar, ashtu si ishte deklaruar edhe nga tekniku, mbeten vetëm matematike, sepse kuqezinjtë e italianit nuk kishin hijen e një skuadre që mund ta bëjë, ndërsa mbi trajnerin kthehet presioni i një stadiumi që në kor thërriti: Panucci vaff... o.
Një formacion krejt i ndryshëm nga gjithçka që ishte menduar apo hipotezuar. Ndryshime që vetëm efikasitet nuk dhanë, më Balliun, një mbrojtës, të thirrur në cështje për të bërë mesfushorin e krahut dhe Memushajn, një qendër të sakrifikuar në krah. Në të gjitha ndeshjet e italianit në krye të kuqezinjve nuk ka patur një formacion stabël dhe rezultatet e Panuccit flasin më shumë se cdo koment.
Gabime foshnjarake, si ai me të cilin Djimsiti e Xhaka gatuan çorbën për golin e minutës së 21' të Yilmaz. E dorëzim total, psikologjik, në gjithë linjat, që soditën vallëzimin e Calhanoglu në të 55' për një gol kryevepër. Që nga Berisha e deri te të hedhurit në fushë me shpresën se diçka do të ndodhte (Grezda e Sadiku), dështuan me sukses të vinin në vështirësi një skuadër që qarkullonte bukur topin dhe godiste sa herë i jepej mundësia. Të besuarit e Senol Gunes ishin të vetmit që ishin skuadër në "Loro Boriçi".
Mes dëmtimeve, tentativës për të bërë të vlejë disiplina, nuk jemi akoma një skuadër dhe këtë e ka kuptuar sigurisht edhe vetë Panucci. Askush nuk është i kënaqur me atë që pa në fushë, e po ta bashkosh me fitoren e pritur të Francës ndaj Moldavisë e Islandës ndaj Andorrës, të dyja në transfertë, situata nuk është optimiste... edhe për Panuccin.
https://www.televizioni.tv/upload/videos/2019/03/YdAzrrjODuevz6bI6S5Y_22_a260b6956f325a5e72386f50ab39152c_video_720p_converted.mp4
https://www.televizioni.tv/upload/videos/2019/03/E14fy7q8x5hpZe2jj9Hm_22_0bc793a000b81355e43ff26cea735cc1_video_720p_converted.mp4