SHEZNI 6 – Pa një ndeshje si spektator pa biletë. Iu desh të ndërhynte vetëm te një gjuajtje e hidhur nga jashtë e Grizmanit.
KANSELO 7 – I ndrojtur në pjesën e parë kur nuk përfitonte nga hapësirat që linin Lemari me Huanfranin. I shkëlqyer në të dytën, sepse jo vetëm që shtyn shumë përpara, por dha edhe asistin e golit të dytë.
BONUÇI 7 – Ishte regjisori i parë i skuadrës së tij, duke lënë pas krahëve atë paraqitje zhgënjyese në Madrid. Tregoi klasin e tij duke luajtur me qetësi dhe me siguri të plotë, ndërsa Grizmani me Moratën as që e gudulisën fare. I përpiktë në leximin e lojës.
KIELINI 7,5 – Gladiatori i zakonshëm dhe vulosi sfidën e 500-të me një paraqitje madhështore. Fshiu nga fusha Moratën dhe shënoi edhe një gol që iu anulua me VAR. Thjesht perfekt.
SPINACOLA 7 – Surpriza e mbrëmjes së djeshme. E nis mirë me disa galopime duke i futur tmerrin Ariasit. Shumë potencë dhe personalitet deri sa i la vendin Dibalës. (Nga min 67′ DIBALA 6 –Hyri me një dëshirë të jashtëzakonshme dhe ndihmoi ekipin të përmirësonte gjeometrinë në fushë. Kush mendoi se ishte i demoralizuar prej stolit, gabohej rëndë).
ÇAN 7,5 – Provë e madhe e mesfushorit që shpeshherë vepron edhe si sulmues i fshehur, por edhe si qendërmbrojtës. I bëri mirë detyrat dhe kombinoi në mënyrë efikase me Kanselon kur ky i fundit dilte në sulm. I kudondodhur.
PJANIÇ 6 – Nuk ishte edhe aq brilant dhe megjithëse u përpoq të improvizonte në fillim, u kthye shumë shpejt të bënte regjisorin e thjeshtë. Në pjesën e dytë pati probleme në këmbë, por shtrëngoi dhëmbët.
MATUIDI 6,5 – I pari që tentoi golin me një gjuajtje nga jashtë që u përplas në trupin e Godinit. Më pas, kur Juvja hidhet e gjitha në sulm, ai ruan mirë balancat dhe është i vëmendshëm sa herë Atletiko merr topin në zotërim. Lojtar shumë i çmuar.
BERNARDESKI 8 – Pjesa e parë ishte për kornizë: Asist për Ronaldon dhe një goditje dënimi e frikshme. Luftoi si luan në pjesën e dytë deri sa mori edhe penalltinë e golit të tretë. Tani e kuptojmë më mirë pse Alegri i besoi atij vendin e titullarit dhe jo Dibalës.
MANXUKIÇ 5 – Nuk ishte në formën e duhur fizike dhe megjithëse shokët i ofruan disa pasime, ai nuk bindi asnjëherë. Godin dhe Gimenez i paraprijnë gjithnjë dhe asnjëherë nuk u shfaq i rrezikshëm. (Nga min 80 KIN 6 – Hyri dhe pas dy minutash pati rastin e artë për të mbyllur takimin. U përshtat mirë me ritmin dhe mbajti në ankth mbrojtjen rivale).
RONALDO 9 – Deri tani në Champions ishte jashtë parashikimeve, sepse kishte shënuar vetëm një gol. Por në ndeshjen më të rëndësishme dhe më të komplikuar u përgjigj siç di ai. Shkeli me këmbë Huanfranin dhe shënoi golin e parë. Kërceu mbi Gimenezin dhe Godinin dhe shënoi të dytin. Lëshoi një predhë nga penalltia dhe shënoi të tretin. Festimet e tij plot zemërim treguan se sa e ndiente këtë ndeshje. U konfirmua “macja e zezë” e Atletikos me një tripletë të rëndë. Monumental.
Trajneri ALEGRI 7,5 – Bëri të gjitha lëvizjet e duhura. Rrezikoi shumë me Bernardeskin në vend të Dibalës, por italiani nuk tradhtoi. Vendosi befasisht Spinacolën në krahun e majtë dhe Atletiko nuk kuptonte fare se ç’bëhej aty. Më pas futi edhe Kinin në fund fare duke rrezikuar pa fund. U shpërblye me një përmbysje fantastike. Ishte Juventus magjik dhe për meritë të tij.