Humbje me dhimbje për kampionatin, ndërsa i bën keq moralit të Napolit. Të kaltrit ndaj Juventusit meritonin të paktën barazimin, por skuadra e Alegrit ka arritur të fitojë pa bërë praktikisht asgjë. Rëndon në rezultat gabimi i madh i Malkuit në pjesën e parë, teksa i ka dhuruar topin Ronaldos dhe e ka detyruar Meret të dalë në mënyrë aventureske përpara portugezit me pasojën e përjashtimit nga ndeshje dhe golit të pësuar në goditjen e dënimit të Pjaniç.
Malkuit ka qenë më pas protagonisti i një ndeshje më shumë se sa negative dhe në dhomat e zhveshjes, me kokën e mbuluar, i ka kërkuar falje Ançelotit dhe shokëve të skuadrës për prezantimin e shëmtuar. I pangushëllueshëm Lorenco Insinje, kapiteni i të kaltërve nuk ka gjetur qetësinë për penalltinë e humbur, dhe në fund të ndeshjes ka shpërthyer në lot, Mertens e Kulibali kanë provuar ta ngushëllojnë, por dhimbja që nuk e ka lejuar skuadrën e zemrës së tij të barazojë ka qenë shumë e fortë. Ilaçi më i mirë për Lorencen do të jetë një gol ndaj Salzburgut. Austriakët do të jenë kundërshtarët e ardhshëm të Napolit në Ligën e Evropës, ndeshja e vajtjes të enjten në mbrëmje në “San Paolo”.
Në dhomat e zhveshjes është vendosur një pakt mes lojtarëve dhe ai që e ka zbuluar ka qenë Nikola Maksimoviç: “Kampionati ka përfunduar, tani mendojmë për Ligën e Evropës, që është objektivi i vetëm i joni. Pas ndeshjes kemi thënë në dhomat e zhveshjes dhe i kemi thënë dhe njëri-tjetrit se kemi bërë maksimumin edhe ndaj vështirësisë, i kemi premtuar njëri-tjetrti që edhe në Ligën e Evropës do të përballemi me këtë grintë. Nuk duhet të pushojmë”.