Për Marcelo tek Juventus është tashmë vetëm cështje detajesh. Takimi i fundit mes lojtarit dhe drejtuesve të Real Madrid, ku ka qenë i pranishëm edhe presidenti Florentino Perez, ka sjellë rezultatin që në fakt pritej: braziliani do të largohet në fund të sezonit nga kryeqyteti spanjoll. Perez ka fiksuar edhe cmimin e transferimit: 45 milionë bazë plus 12 milionë bonus që lidhen me rezultatet dhe rendimentin e mbrojtësit të majtë.
Sipas informacioneve të “Don Balòn”, Juventus ka pranuar këto kushte dhe kjo është shfaqur edhe në sinjalet e dhëna nga palët. Tani bëhet fjalë për tu ulur në bisedime për të firmosur dokumentet e duhura, vetëm se braziliani do të luajë shumë pak nga tani deri në fund të sezonit, sidomos po të kesh parasysh raportet e krijuara me teknikun Santiago Solari, që e la jashtë edhe për ndeshjen kundër Barcellona.
Lajmi për firmën me Marcelo sjell dy të dhëna të rëndësishme. E para për Alex Sandro, që kohët e fundit ka rinovuar kontratën me bardhezinjtë por që do të vihet në merkato, me mundësinë serioze që dy skuadrat e Manchester të mendojnë të investojnë 60 milionë për ta patur. E dyta është më e komplikuar, por hipotezë e mundshme: Marcelo sezonin e ardhshëm mund të stërvitet nga trajneri që e ka vlerësuar më shumë në karrierë, Zinedine Zidane.