Partizani merr arratinë, të paktën ndaj Teutës, në pritje të shohë Kukësin në aksion, por për të mundur Flamurtarin 3-1 i duhet Rubin Hebaj dhe... arbitri Indrit Myrtja, që e la gabimisht skuadrën e Ilir Dajës me 10 lojtarë për një pjesë lojë, kur ndëshkoi Andi Ribajn me të kuqe, për debatin që sulmuesi pati në invazionin e fushës nga tifozët e të kuqve që sulmuan fotografin e Flamurtarit.
Nuk është hera e parë që gabimet 'njerëzore' të atyre që drejtojnë ndeshjet, bien mbi Flamurtarin: ndërsa atë cfarë i'u mor një javë më parë, Partizanit i'u kthye në Selman Stërmasi. Sikur të mos mjaftonin vështirësitë në të cilat ndodhen kuqezinjtë, goli i shpejtë, pas 11 minutash, i Bardhit u duk se do ta fundoste shpejt 'flotën' vlonjate. Por nuk ndodhi kështu sepse në fushë Daja kishte nxjerrë një skuadër që luajti futboll, me armët që dispononte, duke u munduar të bllokonte ambicjet e një Partizani në kërkim të titullit të parë kampion pas 26 vjetësh.
Ndoshta ky është viti i duhur: i tillë sepse gjithcka duket se vërtitet në favor të të kuqve. Që nga humbja e vazhdueshme e pikëve të rivalëve, te fati i një dorë nga pankina dhe në fund arbitrat, që rrallë gabojnë në dëm të tyre. Edhe këtë herë vlonjatët u detyruan të luajnë pa sulmuesin e tyre kryesor gjatë pjesës së dytë, vetëm se Myrtja u nxitua.
Vendosi Hebaj, ogur i mirë për Skënder Gegën, që sheh dy sulmuesit e tij të shkojnë në gol, në një pjesë të sezonit, ku kërkohet të bëhet diferenca. Shkodrani, kishte harruar ta bënte, duke zbritur në hierarkitë e teknikut, por kundër Flamurtarit ndëshkoi dy herë, në të 68 dhe 72, kur kishte vetëm dy minuta që ishte në fushë, në vend të Dukës. 10 pikë nga Teuta, e në rastin më të keq 8 nga Kukësi: jo keq po të mendosh që deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe 13 javë.