Kryeministri, Edi Rama, komentoi nga Puka vendimin e opozitës për të djegur mandatet për të cilën tha se ky është një film i parë sa herë i afrohemi zgjedhjeve. Rama përjashtoi mundësinë e dorëheqjes teksa siguroi që do e çojë deri në fund kontratën me popullin. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare sipas kreut të qeverisë do të jenë në vitin 2021 dhe opozita do të dalë më e vogël në numra se sa është aktualisht.
Edi Rama nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Këtë kryeministri e deklaroi nga Puka ku u shpreh qartë se zgjedhjet e tjera parlamentare do jenë në vitin 2021 dhe siguroi se opozita do jetë përsëri opozitë, madje me numra më të vegjël se aktualisht.
"Nuk kemi rrugë tjetër, do zbatojmë kontratën me popullin. Nuk e di ç’do bëjnë ata por në këto zgjedhje dhe në ato të 2021 populli do t’i lërë aty ku e kanë vendin, aty ku janë tani dhe do të jenë më të vegjël", tha Rama.
Përsa i përket protestës, sulmet ndaj godinës së Kryeministrisë, Rama i quajti vandalizëm dhe film të përsëritur sa herë ka zgjedhje. Por kreu i qeverisë u tha njerëzve se ata që akuzojnë për blerje votash nuk janë zgjidhja por vetë problemi.