Flash

Me vezë, miell, letra, çizme, këpucë... dhe bojë! Edi Rama kryeministri më i goditur

Lapsi.al 14 February 2019
Me vezë, miell, letra, çizme, këpucë... dhe bojë! Edi

Spërkatja me bojë ishte sulmi më i rëndë që ka pësuar kryeministri Edi Rama që kur është ulur në karrigen e kryeministrit. Nuk ka mbushur ende mandatin e dytë dhe është kreu i qeverisë më i sulmuar në historinë e pluralizmit. Me vezë, me miell, me këpucë, me letra, me çizme... tashmë edhe me bojë.

Veza ka qenë “arma” më e shpeshtë e kundërshtarëve, por edhe pse është 2 metra e 2 centimetra, kreu i qeverisë ia ka dalë të shmanget në shumë raste. Veza do ishte edhe asortimenti i parë që do të fluturonte drejt shefit të mazhorancës.

Ishin një grup studentësh në nëntor të 2015-ës që do të godisnin Ramën me vezë vetëm pak muaj pas miratimit të ligjit të shumëpërfolur të arsimit të lartë. “Hajdut”, “sharlatan”, “i shitur”, “plehrë” ishin disa nga sharjet që mori pasi vezët dolëh huq. 8 studentë u arrestuan dhe disa prej tyre u dënuan pas një sërë seancash me punë në komunitet. Të rinjtë në atë kohë do të thoshin se e pranonin vendimin vetëm me merakun “që nuk kishin qëlluar dot në shenjë”.

Nuk do të kalonte gjatë dhe në shkurt të 2016-ës do të ishin deputetët e opozitës në Kuvend që ashtu si studentët do të qëllonin kreun e qeverisë me vezë. Në atë kohë temë e ditës ishte reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi. Siç shihet në videon më poshtë disa vezë u hodhën në drejtim të Ramës kur po largohej nga salla e Kuvendit, por sërish shënjestra ishte e gabuar.

Rasti më i rëndë do të ishte në dhjetorin e 2017. Të gjithë e mbani mend seancën ku u zgjodh Arta Marku si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Përveç tymueseve në sallë në drejtim të Ramës u hodhën letra dhe shishe plastike me ujë. Është seanca kur kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi do të fluturonte drejt kokës së kryeministrit të dyja çizmet e saj, pa ia dalë t’i afrohet shënjestrës. E pyetur pas gjestit, Kryemadhi tha se nuk pendohej për atë që kishte bërë, por për faktin që kishte dalë huq.

Një vit më pas. Prill 2018. Kuksianët sapo i kishin vënë flakën traut të pagesës në Rrugën e Kombit. Në sallën e Kuvendit, opozita i kërkonte Edi Ramës t’u kërkonte falje kuksianeve për fyerjet që u kishte bërë, por Rama nuk dëgjonte nga ajo anë. Këtë herë opozita kishte zgjedhur një tjetër asortiment. Miellin. Në renë e miellit që u hodh drejt kabinetit qeveritar më i revoltuari ishte ministri i jashtëm i asaj kohe, Ditmir Bushati që u kundërpërgjigj me shishen e ujit.

Por Rama nuk do ta kalonte 2018-ën me kaq. Sesioni i ri parlamentar nisi me një tjetër temë. Prishja e shtëpive të banorëve të unazës së re. Pas protestës që ndodhi te parlamenti në 22 nëntor ku u plagos efektivja e policisë Ina Nuka, Rama do të shkonte ta shihte atë në spital. Aty një prej banorëve e qëlloi me këpucë në dalje të Spitalit të Traumës. Edhe në këtë rast i shpëtoi goditjes.

20 dhjetor 2018. Ishte koha e protestave masive të studentëve dhe opozita sapo ishte rikthyer në sallë pas një bojkoti të gjatë. Edi Rama do të sulmohej në sallën e Kuvendit nga deputeti i PD-së, Endri Hasa. Ai hodhi 2 vezë në drejtim të tij, por njëra e kapi. Tjetra doli huq. “Këtë e ke nga studentët” – tha Hasa që u përjashtua për 2 javë nga punimet e Kuvendit.

E fundit ishte boja me shiringë e Edi Palokës. Një risi kjo në “armatimin” e opozitës që me afrimin e zgjedhjeve nuk i dihet ç’surpriza të tjera ka rezervuar. Edhe pse në mes të mandatit të dytë, Edi Rama e ka marrë që tani medaljen e kryeministrit më të sulmuar. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI