Flash

Marrëveshja me ndryshim kufijsh mund të na largojë nga BE

Lapsi.al 13 February 2019
Marrëveshja me ndryshim kufijsh mund të na largojë nga BE

Në shërbimin e jashtëm të BE-së irritohen kur u thuhet se ata po mbështesin ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve. Pohojnë se ata “nuk mbështesin asnjë zgjidhje të caktuar”, por ua lënë palëve që vetë të gjejnë zgjidhjen për të cilën pajtohen. Por kur kërkohet nga ta që, për të tingëlluar të besueshëm, të përsërisin qëndrimin shumëvjeçar se “nuk mund të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës, as ndarje e as bashkim me ndonjë shtet tjetër, apo pjesë të ndonjë shteti tjetër (siç e thonë edhe Kushtetuta e Kosovës dhe propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit) në BE nuk e bëjnë këtë. Sillen kinse ata fare nuk janë të përfshirë në diskutime rreth ndryshimit të kufijve, se ata pranojnë secilën zgjidhje, e cila “do të ishte fryt i pajtimit të të dyja palëve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, sipas standardeve evropiane, e pranueshme për të gjitha shtetet e BE-së, të mos krijonte shtetet një etnike dhe që do të kishte ndikim stabilizues në rajon”.

Shumë karakteristika kërkon BE-ja që të ketë “marrëveshja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve”, që e bën edhe më vështire të arritshme një marrëveshje të tillë. Por përderisa nuk ka ndonjë zë kundër kërkesave që marrëveshja të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, që të jetë sipas standardeve evropiane, që të ketë ndikim pozitiv në rajon dhe e pranueshme për të gjitha shtetet e BE-së, ekziston një opsion i cili ka ndarë BE-në ashtu siç ka ndarë edhe skenën politike dhe shoqërinë në Kosovë. Fjala është për opsionin e ndryshimit të kufijve, pa marrë parasysh a do të quhej kjo ndarje e Kosovës, shkëmbim territori apo korrigjim i kufijve.

Mungesa kronike e transparencës nga ana e “lehtësuesve në BE”, sikurse edhe nga Ekipi tash shtetëror i udhëhequr nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, që nuk duan ta sqarojnë a do ta ndihmojnë apo ta pengojnë arritjen e marrëveshjes e cila do të nënkuptonte ndryshimin e kufijve, ka bërë që të ketë shumë spekulime. Ato që më së shpeshti dëgjohen e që nuk mund “as të konfirmohen, por as të përgënjeshtrohen” janë: “presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë duke biseduar për ndryshimin e kufijve”, “këtë e mbështet Zyra e Federika Mogherinit, dhe për këtë po punon Angelina Eichhorst”, “këtë e mbështet edhe një pjesë e administratës amerikane”, dhe se “Rusia e pret me padurim për interesa të veta që kjo të ndodhë”.

Jo vetëm publikun, por duket se Zyra e Mogherinit po i mban në terr edhe disa shtete anëtare të BE-së. Ato shtete, siç na thonë disa diplomatë, tashmë nuk besojnë kur u thuhet se “nuk ka asgjë konkrete rreth marrëveshjes” dhe kanë frikë se një ditë do të zgjohen në mëngjes dhe të shohin se si është arritur një marrëveshje dhe të jenë para aktit të kryer.

E nuk janë të paktë ata që druajnë se do të jetë BE-ja ajo që do ta paguajë çmimin kryesor për ndonjë zgjidhje të gabuar, e cila do të krijonte më shumë problem sesa që do t’i zgjidhte. E si “e rrezikshme” konsiderohet marrëveshja e cila do të sillte deri tek ndryshimi i kufijve.

Gjermania është më e zëshmja, por nuk është e vetmja që është kundër një skenari të tillë. Është vështirë të kujtohet ndonjë periudhë kur me aq përbuzje disa burokratë të BE-së të kenë folur për qëndrimin e Gjermanisë. Sepse po mendojnë se Berlini po u prish punë”, dhe se “pse të jetë Berlini kundër nëse Prishtina dhe Beogradi vetë pranojnë”.

Në BE nuk janë të sigurt as rreth qëndrimit amerikan. Edhe pse as nga zyrtarët amerikanë është thënë se duan marrëveshje gjatë këtij viti, nuk është thënë prerë se cilën zgjidhje duan në mënyrë specifike. Nuk është e sigurt a janë “Brukseli e Washingtoni” që kërkojnë ndryshimin e kufijve apo janë Thaçi e Vuçiq që kërkojnë nga Brukseli e Washingtoni ta mbështesin këtë ide. Por duket se tash nga Zyra e Mogherinit po e kanë më të lehtë bashkëpunimin dhe koordinimin me Washingtonin sesa me Berlinin. Kur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte përmendur në takim në Bruksel se në dialog duhet të përfshihet edhe Amerika, sepse Kosova po e humb besimin në BE-në, përfaqësuesja e lartë Federika Mogherini ishte zemëruar shumë. Tash, prej kur si këshilltar për siguri kombëtare ka ardhur John Bolton, dikur kundërshtar i Pavarësisë së Kosovës, i cili ka shprehur gatishmëri të mbështesë edhe ndryshimin e kufijve, nga Zyra e Mogherinit duket se po punojnë me amerikanët për, siç thonë, “Izolimin e Gjermanisë”. Besojnë se në favor do t’u shkojë edhe Brexiti, i cili dobëson qëndrimin e Londrës brenda BE-së, e Britania e madhe po ashtu nuk e mbështet idenë për ndryshimin e kufijve.

Ende nuk mund të dihet me saktësi nëse ideja për ndryshimet e kufijve të Kosovës ka mbështetje më të gjerë në BE apo këtë e mbështet vetëm një grup i ngushtë rreth përfaqësueses së lartë Federika Mogherini. Një gjë mund të thuhet megjithatë me probabilitet të madh. Nëse dialogu rezulton me një marrëveshje të cilën nuk e pëlqen Gjermania, atëherë edhe Kosova edhe Serbia duhet ta dinë se do ta kenë edhe më të vështirë procesin e integrimeve në BE.

Gjermania edhe ashtu e ka fjalën kryesore në procesin e zgjerimit të BE-së. Gjermania ka insistuar që në kornizën negociuese të BE-së për negociatat me Serbinë të hyjë si kusht edhe “normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve me Kosovën, përfshirë edhe përmes një dokumenti ligjërisht obligues”. Sikur të mos ishte Gjermania ky kusht nuk do të futej fare. Gjermania më së shumti insiston në matjen e saktë të përmbushjes së kritereve nga ana e Serbisë në procesin e negociatave para hapjes apo mbylljes së secilit kapitull. Pra, Gjermania më shumë se cilido vend tjetër i BE-së dikton dinamikën e procesit të zgjerimit. Prandaj do të ishte naive për Kosovën dhe Serbinë të besojnë se mund të avancojnë gjasat e tyre për integrim në BE duke arritur një marrëveshje kundër vullnetit të Gjermanisë. Siç u shpreh një diplomat i një shteti anëtar të BE-së: “Nëse dikush beson se mund të avancojë drejt BE-së me ndihmën e Trumpit dhe Rusisë, kundër vullnetit të Gjermanisë, atëherë me fat!”.

Procesi i integrimit të Serbisë në BE është shumë i ngadalshëm. Për më shumë se gjashtë vjet kanë hapur vetëm 16 nga 35 kapituj negociues, ndërsa kanë mbyllur vetëm dy. Kosova nuk e ka bërë as hapin e parë në këtë drejtim. Prandaj, duhet të kenë kujdes që këtë proces për to, edhe ashtu të vështirë, të mos e rëndojnë edhe më me ndonjë marrëveshje e cila do të hapte më shumë çështje sesa që do t’i mbyllte.

Augustin Palokaj / © KOHA

Të këshilluara

Hije dyshimi mbi protestën e 16 shkurtit

Dy hije të forta dyshimi qëndrojnë mbi kryet e opozitës për protestën e 16 shkurtit. E para ka të bëjë me seriozitetin dhe vendosmërinë e Lulzim Bashës për t...

15:52

Pse po ikin masivisht Shqiptarët

Në mesin e shqiptarëve, një në dy është gati të ikë jashtë vendit 1. Çdo javë prodhon së paku tri lajme, që bën që në Gjermani numri i mjekëve, axhustator...

15:49

Rama, darka e gabuar në Prishtinë

Një intervistë e sinqertë e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për emisionin “T7” ka nxjerrë në pah disa të vërteta që Edi Rama mundohet t'ia mbajë të fs...

08:08

Kë frikësoi në Tiranë, Albin Kurti

Me vetëm tre fjali të shkurtra dhe një konstatim të thjeshtë, Albin Kurti ka trazuar regjimin e Tiranës më shumë se sa dhjetra fjalime e aksione opozitare këtu,...

18:13

Kur debati politik merr fytyrën e Gjushit

Në të gjitha shfaqet televizive të së enjtes show mbizotëroi mbi thebin. Edi Rama marshoi drejt parlamentit duke mbajtur mbi kurriz jo vetëm peshën e rëndë t...

10:22

Erë paqeje në Ballkan

Rastet për të festuar zbrapsjen e nacionalizmave janë po aq të ralla sa edhe lajmet e mira që mbërrijnë nga Ballkani. Prandaj duhet të gëzohemi dyfish për votën...

19:11

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.96

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI