Flash

Pse po ikin masivisht Shqiptarët

Lapsi.al 8 February 2019
Pse po ikin masivisht Shqiptarët

Në mesin e shqiptarëve, një në dy është gati të ikë jashtë vendit

1.

Çdo javë prodhon së paku tri lajme, që bën që në Gjermani numri i mjekëve, axhustatorëve dhe ndërtimtarëve të rritet. Dhe asnjëri prej këtyre lajmeve nuk ka të bëjë me Gjermaninë. Që të gjitha kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.

Të tri lajmet në Serbi mund të jenë se presidenti i vendit po përgatitet të hyjë edhe në një fushatë zgjedhore prej së cilës pret të marrë mbi gjysmën e votave, se opozita përbëhet prej marksistëve 18-vjeçarë, fashistëve 50-vjeçarë dhe masës së madhe të njerëzve që kanë qenë diku mes marksistëve dhe fashistëve këtyre 20 vjetëve e që dalin në rrugë çdo të shtunë pa e ditur saktësisht pse dhe –lajmi i tretë - pritet të hiqet taksa prej 100 për qind ndaj prodhimeve serbe dhe do të rifillojë dialogu “mes Prishtinës e Beogradit”. A nuk janë këto lajme të para dhjetë vjetëve apo pesëmbëdhjetë?

Të tri lajmet në Shqipëri janë se vazhdon debati në Parlamentin e Shqipërisë mbi atësinë e fëmijës së kryeministrit, koherencën mendore të liderit të opozitës, vizave të bardha të kokainës dhe vizave të kuqe të ndalesës për të udhëtuar në Amerikë; një rrethrrotullim për të hyrë në Tiranë nuk është debat i urbanistëve dhe ekologëve, por i kryeministrit, presidentit, kryetarit të opozitës, atij të Bashkisë dhe çdo kanali televiziv kombëtar a lokal; ryshfeti më nuk është mjet gare në tender, tashmë tenderët jepen pa garë. A është dëgjuar diçka kështu para dhjetë vjetësh?

Dhe të tri lajmet në Kosovë janë se janë rritur rrogat në sektorin publik aq sa të jenë më të lartat në regjion përderisa ekonomia është më e varfra në regjion; PTK, kompani publike e Partisë në pushtet, vazhdon me sukses të shpejtuar drejt falimentimit të vet dhe ndërtimit të suksesshëm të një korporate private të afërt me partinë në pushtet; posa të hiqet taksa 100 për qind vazhdon “dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Kapje të shtetit, zhvatje dhe dialogu me Serbinë: a nuk janë këto lajme të para dhjetë vjetësh, a më shumë?

2.

Shënimet shtetërore gjermane dhe serbe tregojnë se nga Serbia çdo vit për në Gjermani nisen së paku rreth 25 mijë njerëz, në mesin e tyre mjekë, axhustatorë, ndërtimtarë. Dhe shënimet statistikore gjermane tregojnë se shqiptarët e Kosovës tashmë përbëjnë gati gjysmë milioni banorë.

Për më tepër, ky numër vetëm sa do të rritet. Trendi i emigrimit të serbëve është i njëjtë në dhjetë vjetët e fundit dhe nuk ekziston ndonjë arsye pse vitin e ardhshëm 25 mijë mjekë, axhustatorë dhe ndërtimtarë të mos nisen për në Gjermani e prej atje edhe ku të kërkohet brenda BE-së.

Kurse ndër shqiptarë trendi i ikjes nga vendi, nëse është për t’u besuar sondazheve ndërkombëtare, mund të marrë përmasa eksodi. Agjencia e njohur “Gallup” ka zhvilluar sondazh global në periudhën 2015-2017, nga i cili del se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të spikatura evropiane (të vetmet evropiane) që gjenden në shoqëri me 11 vende të tjera botërore nga të cilat së paku çdo i dyti banor dëshiron të largohet nga vendi. Shqipëria , nga e cila 60 për qind e të anketuarve u deklaruan se mendojnë të largohen, është në shoqëri me Sierra Leonen, Liberinë dhe Haitin. Kosova, nga e cila 46 për qind e të anketuarve u deklaruan se do të largohen, ende pa u mbushur dhjetëvjetëshi i pavarësisë është në shoqëri me Nigerinë, Hondurasin dhe Sirinë.

3.

Pyetja e thjeshtësuar, se si është e mundur që shqiptarët të ikin kur Shqipëria e Kosova janë më mirë se kurdoherë më parë, merr përgjigje po aq të thjeshtësuar, se të jesh më mirë se kurdoherë më parë nuk mjafton. Në kushtet tona, përgjigjja e thjeshtësuar është se po merr fund fundi i historisë. Krahasimi me të kaluarën ka shpenzuar veten; gjeneratat e lindura më 1990 nuk kanë pse të dëgjojnë se sa mirë është tash krahasuar me kohën e Enver Hoxhës e as pse është më mirë tash se në kohën e Milosheviqit.

Për më tepër, narracioni politik shqiptar duket si një pllakë e gërvishtur (për ata që u lindën më 1990 edhe kjo është një metaforë që nuk ka shumë kuptim - pra, një pllakë e gërvishtur është metaforë për përsëritje të të njëjtave fjalë a melodi). Në Shqipëri për të satën herë u dëgjua pjesa teatrale në Parlament mbi relacionin e një të ati politikan dhe birit të tij, si dhe mbi mundësinë që mosha të ketë ndikim fatal në kapacitetet mendore të një politikani.

Në Kosovë për të satën herë do të bëhet debat se si një shumicë e njerëzve duhet të paguajnë rroga më të mëdha për një pakicë që ka pasur fatin të jetë e punësuar në sektorin shoqëror, në masë të madhe në bazë të përkatësisë së feudit politik apo regjional.

Shqiptari nga Shqipëria ka mësuar se nuk ka gjë prej debatit parlamentar mbi atësinë apo shkatërrimin e neuroneve me avancimin e moshës. Ka gjasa të mëdha që një debat i këtillë ta shtyjë më tutje drejt vendimit se duhet të largohet, në mënyrë që fëmija i tij të mos dëgjojë debat për atësinë dhe qelizat e trurit.

Shqiptari i Kosovës, ndërkaq, do të ketë detyrë patriotike të largohet nga vendi. Leksioni bazik i ekonomisë tregon se për të rritur pagat në sektorin publik duhet rritur prodhimin ekonomik vendor. Meqë sektori privat nuk mund të prodhojë më shumë në një shtet të kapur si Kosova , atëherë duhet rritur të hyrat nga diaspora. Dhe meqë diaspora, në numrin e tanishëm, nuk mund të dërgojë më shumë remitenca - sepse nuk prodhon më shumë në Gjermani, Zvicër e gjetiu - atëherë do rritur numrin e banorëve në diasporë.

4.

Diasporat tona të reja janë dhe do të mbesin aty. Teknologjia informative na mundëson që të komunikojmë me to në “viber” e “skype”, autostradat, tragetet dhe avionët na i sjellin çdo verë (dhe marrin më shumë tutje në stinët e tjera). Kjo është normale për tërë regjionin: Bullgaria, prejse ka hyrë në BE, ka humbur 20 për qind të popullatës së vet; ajo tashmë është akomoduar gjithandej BE-së. Jonormale është që çdo i dyti shqiptar do të ikë prej shtetit të vet. Dhe gjykuar sipas numrave, ndonëse jo kaq drastike, ndodh me serbë, boshnjakë e kroatë: për dy vjet 200 mijë sish kanë emigruar vetëm në Gjermani.

Ndoshta këto shifra duhet lexuar nga ata që zhvilluan dialog jo shumë të frytshëm politik mes Kosovës dhe Serbisë, prejse Kosova shpalli Pavarësinë. Ndoshta duhet ta lexojnë ata që duan të ndërmjetësojnë marrëveshje mes Kosovës e Serbisë: kut i suksesit është një marrëveshje, e cila i mban njerëzit në vend, jo një marrëveshje që do t’i dëbojë më tutje.

Nga ky këndvështrim, Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk është ajo që lëviz fshatra e banorë prej njërës anë në anën tjetër të kufirit, por është ajo e cila bën që popujt të kenë ekonomi e zhvillim pa marrë parasysh në cilën anë të kufirit gjenden.

Veton Surroi/© KOHA

Të këshilluara

Rama, darka e gabuar në Prishtinë

Një intervistë e sinqertë e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për emisionin “T7” ka nxjerrë në pah disa të vërteta që Edi Rama mundohet t'ia mbajë të fs...

08:08

Kë frikësoi në Tiranë, Albin Kurti

Me vetëm tre fjali të shkurtra dhe një konstatim të thjeshtë, Albin Kurti ka trazuar regjimin e Tiranës më shumë se sa dhjetra fjalime e aksione opozitare këtu,...

18:13

Kur debati politik merr fytyrën e Gjushit

Në të gjitha shfaqet televizive të së enjtes show mbizotëroi mbi thebin. Edi Rama marshoi drejt parlamentit duke mbajtur mbi kurriz jo vetëm peshën e rëndë t...

10:22

Erë paqeje në Ballkan

Rastet për të festuar zbrapsjen e nacionalizmave janë po aq të ralla sa edhe lajmet e mira që mbërrijnë nga Ballkani. Prandaj duhet të gëzohemi dyfish për votën...

19:11

Si po arrin Rusia të vendosë për Kosovën

...apo një sistem i korruptuar antivirus për Perëndimin 1. Javier Solana thuhet të ketë qenë në Moskë, në cilësinë e shefit të parë të diplomacisë evropia...

19:12

Miti që po thyhet në universitete

Ajo që po ndodh në universitete është një festë e vërtetë demokracie. Ndoshta, një ngjarje e pa precedent në këto tre dekada që pas rënies së komunizmit. Sepse ...

13:36

21 janari, alibia që i duhet hequr Edi Ramës

Ky përvjetor i 21 janarit tregoi shumë për debatin i cili ndau në dysh Shqipërinë tetë vite më parë. Qoftë edhe një sy i pavëmendshëm e kishte të lehtë të shiko...

13:40

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.96

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI