Tek Flamurtari situata mund të ndryshojë shumë shpejt, në lidhje me bllokimin financiar dhe pagat e prapambetura, që kanë bërë të firojnë katër lojtarë deri tani. Premtimi vjen nga Turqia, ku ndodhet aktualisht administratiori, Sinan Idrizi, që ka bërë të ditur se brenda pak ditëve lojtarët do të përfitojnë të gjitha pagat e prapambetura. Me shumë mundësi, duke nisur nga fillimi i javës së ardhshme, lojtarët do të kenë në llogaritë e tyre pagat e prapambetura, gjë që do të normalizonte situatën e krijuar në dhomat e zhveshjes.
Administratori Idrizi nuk ka mohuar në asnjë moment detyrimet që ka ndaj lojtarëve kuqezinj, kështu që i ka dhënë zgjidhje të shpejtë situatës, sapo ka marrë garancitë nga kompania turke. Një premtim që ka sjellë optimizëm tek skuadra vlonjate, që mund të përqendrohen më shumë në fushë, në pritje të konfirmimit të transaksionit financiar. Në fakt, çështja që i takon administrimit të klubit dhe Idrizit si numri 1 i tij, ka marrë një drejtim pozitiv, por me rikthimin nga Turqia, Idrizi pret një përgjigje nga Bashkia Vlorë, për borxhet e vjetra, para të paguara nga administratori dhe kompania turke, por qe ende nuk janë rikthyer nga institucioni vendor.
Ndërkohë referuar takimit të rradhës në kampionat përballë Luftëtarit në transfertë, vlonjatët kanë vijuar përgatitjet, ndërsa mungesa e konfirmuar mbetet Fjoralb Deliaj, i cili në dy ndeshjet e fundit ka luajtur si mbrojtës i djathtë pas largimit të Siljanovskit. Deliaj ka plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë, ndërsa deri ditën e fundit teknikun Ilir Daja e mban në ankth gjendja e Albi Allës, pas dëmtimit të pësuar me Tiranën për Kupën e Shqipërisë.