Lideri i partisë më të madhe të opozitës, Lulzim Basha, ka kërkuar për herë të fundit një reflektim prej socialistëve, në mënyrë që t'i jepet fund krizës aktuale politike. Në të kundërt do të jetë vetë populli ai që do të marrë në dorë fatin e tij, është shprehur Basha disa ditë para protestës masive të paralajmëruar prej tij më 16 shkurt.
Në fjalën e tij në parlament, Basha ka përmendur disa prej problematikave që ekzistojnë në vend, të cilat kanë qenë fokus edhe të protestave të qytetarëve në rrethe gjatë ditëve të fundit. Bëhet fjalë për pastrimin e vendit prej krimit dhe oligarkëve; gjendjen e rënduar ekonomike dhe mbylljen e mjaft bizneseve; varfërinë; depresionin social; blerjen e votave etj.
" Vendi është në krizë totale, por ky parlament nuk ka asnjë lidhje me hallet dhe problemet e njerëzve. Të gjitha ligjet që sjellin janë ligje për të zhvatur, sepse si aktivitet kryesor të ekonomisë kanë pastrimin e parave të pista të drogës dhe vjedhjen e talsave të shqiptarëve.Rrealiteti i tmerrshëm në rrugët tregtare të qyteteve kryesore eshtë se ato janë kthyer në shkretëtirë. Gjysma e bizneseve me qepenat e mbyllur, ndërsa pjesa tjetër pa klientë, vetëm me 1 të vetëpunësuar, me taksa të shtuara, me fitime në rënie të përditshme.
Një qeveri dhe një parlament, i dalë nga votat e blera prej krimit, nuk e lidh asgjë me jetën e vështirë të qytetarëve, duke u bërë shkaku pse ekonomia është në krozë dhe shoqëria është sot në depresion dhe 1/5 shqiptarë ushqehet 1 herë më ditë", u shpreh Basha në parlament ditën e sotme.
Më tej kryetari i PD-së ka hedhur dhe idenë e krijimit të një qeverie tranzitore deri në momentin e zgjedhjeve të parakohshme. Këtë e sheh si një mënyrë për të larguar prej parlamentit persona të lidhur me botën e krimit.
"Nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër politike, përveç një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, të garantuara në një mënyrë të tillë, që në këtë sallë të mos ketë asnjë parlamentar, që vjen si rezultat I paktit me krimin", u shpreh Basha.
Hapja e negociatave nuk do të bëhet as në qershorin që vjen, sipas liderit të PD-së, i cili sheh si përgjegjës të kësaj kreun e mazhorancës, Edi Ramën. Basha ka përmendur dhe investigimin e "Zërit të Amerikës" për blerjen e votave dhe vendosjen e emërimeve në rrugë jo të ndershme, duke kërkuar në mbyllje të fjalës së tij reflektim për situatën politike në vend. Përndryshe, sipas Bashës, qytetarët do të marrin vetë në dorë fatin e vendit të tyre.

"Ne shteruam çdo rrugë politike. Ne e kemi fare të qartë se pse e rrëzuat vettingun politik. Por, edhe ju duhet ta keni farë të qartë, se as Shqipëria e as Europa, nuk do t'ju lejojnë të vazhdoni më këtë maskaradë.Disa prej jush i kanë marrë mesazhet në Berlin këtë javë. Në qershor nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë dhe përgjegjësi i vetëm për këtë është kryehajduti Rama, që është ekspozuar kudo si njeriu që është ulur në atë karrige me votën e krimit.
Për pesë kriteret kryesore jo vetëm që s’ka progres, por ka regres. Korrupsioni është thelluar, më vend të luftoni krimin e organizuar, ai ble vota për pushtetin tuaj, emërimet i panë tek VOA si bëhen, vendi është në krizë ekonomike. të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhunohen. Jeni damkosur, si pengesa kryesore për integrimin europian.
Kjo është një faturë e rëndë për vendin dhe shqiptarët! Nuk kemi pse të vazhdojmë ta paguajmë këtë faturë. Zgjidheni politikisht krizën! Ndryshe, qytetarët do ta marrin fatin në duart e tyre, duke nisur me spastrimin e kësaj salle nga shërbëtorët e krimit, që e kanë vendin prapa hekurave dhe para drejtësisë", mbyll fjalën e tij Lulzim Basha.