Lideri i opozitës Lulzim Basha i zhvendosi takimet e tij në Kamëz, ku i bashkëbisedoi me banorët e Valiasit dhe Paskuqanit.
Ai u bëri thirrje që t’i bashkohen protestës së opozitës në 16 shkurt për rrëzimin e Ramës, i cili sipas tij mashtroi me kompensimin e dëmeve nga përmbytjet.
“Erdhi dhe lëshoi dy apo tre batura e barcaleta, u rrahu krahun dy-tre punëtorëve të bashkisë që po punonin dhe i tha kryetarit, do të kesh fondin 700 mijë Euro që të përballosh emergjëncën. Natyrisht ishte një tjetër mashtrim. Asnjë kokërr leku nuk iu dha Bashkisë së Kamzës. Asnjë cent dëmshpërblim 700 familjeve, të cilët u përmbytën për shkak jo vetëm të motit, por pakujdesisë dhe neglizhencës së Edi Ramës”.
Kryeministri, sipas Bashës, e ka mendjen vetëm tek përfitimet personale dhe njerëzve të lidhur me të:
“Edi Rama ka fituar 4 milionë euro vetëm për një ditë. Qeverisja e tij përkufizohet: “Merri shumicës dhe jepi vetes tënde”! Edi Rama tallet me familjet e përmbytura, sikurse tallet me të gjithë shqiptarët. Ndërsa vetë sipas investigimit të medias, me njerëzit dhe familjarët e tij, 4 milionë euro ka fituar vetëm për një ditë me ujin e KESH-it. Uji kthehet në mallkim për njerëzit e thjeshtë dhe kthehet në pasurim për Edi Ramën. Kjo është Shqipëria që ka ndërtuar Edi Rama”.
Sipas Bashës, kjo nuk është qeverisje, por është hajdutëri me ligj.
Në takimin e sotëm, kryedemokrati Lulzim Basha u është drejtuar me një kërkesë për ndihmë gjithë shqiptarëve.
“Unë do të jem në krahun tuaj, por më 16 shkurt fjalën nuk do ta kem unë fjalën tuaj, fjalën e popullit do ta keni ju, atje para kryeministrisë”, tha Basha, duke theksuar se tashmë kanë shteruar të gjitha mjetet për zgjidhje dhe nxjerrjen e vendit nga sundimi që po i bëhet prej një bande me në krye Ramën.
“Kemi shteruar çdo mjet për zgjidhje, kemi ardhur t’u kërkojmë ndihmë, sepse zgjidhja tani nuk është më në duart e një partie apo aleance politike, zgjidhja është në duart e shqiptarëve, të vini te marshimi në 16 shkurt në Tiranë e t’i japim zgjidhje njëherë e përgjithmonë, ta largojmë këtë bandë, t’i hapim rrugë demokracisë ku qytetarët të zgjidhin me votë përfaqësuesit e tyre”.