Mes problemeve vijnë edhe provat e karakterit më të fortë: nuk mund të quhet ndryshe bllokimi me 10 lojtarë në Niko Dovana, që Flamurtari i bëri Teutës. 1-1 dhe më keq nga ky barazim kanë dalë durrsakët, që dështuan të kalojnë Kukësin në renditje dhe shohin tani, Partizanin më larg.
Emergjenca me të cilën Ilir Daja kishte ndërtuar takimin, iluminoi aftësitë strategjike të trajnerit, me një dyshe të pazakontë shtatshkurtrish. Impresionuese mënyrë e kalimit në 24 orë nga shtatlartësia e Busic, tani në kampin e rivalëve, tek Torassa e Kale, e në të gjithë këtë, i shtohet edhe një 30 minutësh me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Veliut.
Teuta ndoshta është befasuar nga penalltia e rrëmbyer nga argjentinasi, që kaloi vlonjatët në avantazh, por më shumë se kjo, është skuadra që Shkëmbi priste të kishte përballë: informacionet e sjella nga Busic kanë ulur përqendrimin tek lojtarët, që vetëm një skuadër të dorëzuar nuk gjetën përballë.
Traore barazoi rezultatin, por mungesa e qendërsulmuesit Latif, nuk u mbush as kur në fushë për Teutën zbriti Busic. Minutat e lojës dhe inferioriteti numerik i ish-skuadrës së tij, nuk i dhanë zgjidhjen kroatit, që dëshironte shumë golin, por llogaritë i bëri me dinjitetin e një skuadre që në momentin më të vështirë shfaqi karakterin.
34 pikë për Teutën, që mbajti vendin e 3-të me 1 pikë më pak se Kukësi, pa mundur të bëjë parakalimin e shpresuar, ndërkohë që Flamurtari mban vendin e 6-të me 29 pikë, por ndryshe nga ndeshja e humbur me Tiranën për Kupë, dha sinjalet e një formacioni, që është gjallë dhe pret vetëm klubin të shfaqë disponibilitet, për tu bërë edhe më agresiv, pavarësisht se në merkato vetëm ka humbur...deri tani.