Reperja Tayna pa veten në një kronikë lajmesh ku me titra shkruhej: “Stop këngëve që promovojnë drogën”. Siç duket kjo nuk i ka pëlqyer aspak reperes ndaj ka reaguar me një shpjegim të gjatë ku shpjegoi se ajo vetë nuk konsumon as duhan dhe se këngëtarët nuk kanë rolin e prindërve, e se fëmijët janë në duart e familjes jo artistëve. Ajo shprehet se këngëtarët argëtojnë të rinjtë dhe se vendi ka probleme më të mëdha se kaq.
“Në një shtet që vetë nuk mundet të ndalojë përdorimin e lëndëve narkotike ose shumë gjëra të tjera, nuk ma merr mendja që ne si artistë kemi shumë peshë të madhe në veprimet e njerëzve. Ne vetëm këndojmë dhe mundohemi të argëtojmë popullin. Unë vetë nuk përdor asgjë nga këto, madje as duhanin që shumica juaj e pi, nuk e konsumoj, që gjithashtu është i dëmshëm. Kush do ta përdori ne nuk e ndalojmë dot. Kush nuk do, nuk ja japim me zor.
Tek e fundit, nuk kemi rolin e prindërve për të edukuar askënd. Ky është vetëm një zhaner i muzikës që ka tema të tilla e dëgjohet prej atyre që e pëlqejnë. Ju jeni rritur me muzikën Rock që po ashtu ka patur të tilla tema. Nuk duhet të merret personale asgjë që thuhet në tekstet e këngëve. Asnjëherë të rinjve nuk ua rekomandoj të përdorin lëndë të tilla. E fëmijët tuaj, e keni ju në dorë çfarë i lejoni e çfarë s’i lejoni të dëgjojnë, të shohin apo si i edukoni. Besoj që kemi probleme më të mëdha në këtë shtet…” shkruante Tayna në Instagram.