Ndërtimi i xhamisë më të madhe në Ballkan në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, është pjesë e një projekti në vazhdim për të "përdorur" fenë si një mënyrë për tu ‘futur’ në këtë rajon, shkruan gazetari Tom Ellis për të përditshmen greke, Kathimerini.
Xhamia e Madhe e Tiranës, e njohur edhe si Xhamia e Namazgjasë, do të ketë kapacitetin për 5.000 praktikues të fesë, dhe në të njëjtën kohë do të përfshijë një bibliotekë, sallë konferencash dhe qendër kulturore.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e quajti atë një "simbol unik të vëllazërisë midis kombeve”, gjatë ceremonisë së inaugurimit të punimeve në 2015. Një pjesë e këtij misioni do të jenë klasat e gjuhës turke që do mbahen në këtë xhami, e cila pritet të përfundojë brenda këtij viti.
Turqia ka ndërmarrë projekte të ngjashme në Kosovën fqinje, duke përfshirë ndërtimin e 20 xhamive në vitet e fundit.
"Këto nisma nuk janë thjesht një shenjë e ndjenjave fetare të Erdoganit", shkroi Ellis. "Ato janë në qendër të një plani ambicioz dhe afatgjatë për promovimin e rolit të Turqisë si mbrojtësen e të gjithë muslimanëve në Ballkan, ndoshta edhe të të gjithë vëllezërve tanë në pjesën tjetër të Evropës".
Shkrimtari shtoi se përpjekjet e Turqisë kishin përfshirë gjithashtu ndërtimin e një prej xhamive më të mëdha të Evropës në Këln, Gjermani. Erdogan hapi xhaminë në shtator të vitit të kaluar.
Ahval News, përshtati në shqip ©Lapsi.al