Klement Balili, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, në kërkim dhe i dënuar në Greqi deri më sot kur u dorëzua vetë, i ka shpëtuar të gjitha operacioneve të organizuara nga policia për kapjen e tij. Dy vite më parë, në tetor të 2016-s Balili i iku policisë ndërsa ka dyshime të forta se operacionet janë dekonspiruar nga njerëz që bashkëpunonin me trafikantin e kërkuar edhe nga DEA amerikane.
“Nuk ka pasur aftësi apo vullnet për ta arrestuar vetë Balilin…”, deklaronte ish-ambasadori Donald Lu.
Ndërkohë që kryeministri Ram dje u shpreh: “Unë nuk dua të presim të vijë Ambasadorja e re amerikane për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës që Klement Balili nuk është kapur akoma”.
Këto deklarime janë bërë në kohë të ndryshme dhe të gjitha në lidhje me trafikantin e dënuar në Greqi Klement Balili. Ambasadori amerikan deklaronte se Balili fshihej në Shqipëri, por asnjë operacion i policisë nuk çoi në arrestimin e tij.
Operacioni i parë për kapjen e Balilit, dështoi me dyshimet e dekonspirimit, dy vite me pare në muajin tetor të 2016-ës pak muaj pasi u shpall në kërkim. Uniformat blu kishin marrë informacion se një mbrëmje Balili do të kalonte me një automjet në qafën e gjashtës, në hyrje të qytetit të Sarandës. Për kapjen e tij, u nis nga Tirana një grup i forcave të posaçme operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duke shmangur përfshirjen e policisë lokale.
Megjithatë pas ndjekjes dhe ndalimit, brenda automjetit të dyshuar, forcat operacionale nuk gjetën Klemend Balilin, por vetëm 2 persona të afërm të tij. Tentavitva të tjera për lokalizimin e tij u bënë vazhdimisht, por sërish ish drejtori i transporteve në Sarandë, i hetuar nga DEA amerikane, nuk u gjet asnjëherë. Edhe gjatë bastisjeve të disa banesave ku dyshohej se fshihej, policia nuk gjeti asnjë gjurmë të tij.
Klement Balili u kthye në armikun numër 1” të shtetit. Emri i tij ka bërë që politika ta shtrojë atë në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Akuzat e ndërsjellta kanë qenë se Balili nuk është arrestuar për shkak të mburojës politike që ka pasur. Nga njëra anë socialistët thonin nën zë se ishte i lidhur me LSI. Por që nga koha kur partia e Ilir metës ka ikur nga pishteti për një vit e gjysëm ai mbeti sërisht i lirë.
Që ai është mbështetur plotësisht nga nivele të larta politike është thënë disa herë si nga mediat shqiptare ashtu edhe ato greke. Fotot që lapsi.al po solli në 12 dhjetor të vitit 2016 ishin një dëshmi e pastër se i ashtuquajturi “Eskobar i Ballkanit”, jo vetëm ka lëvizur lirshëm pasi ishte shpallur gjoja në kërkim, por ai ka qenë shpesh në shoqërinë e individëve të veshur me pushtet që do të duhej ta denonconin si një person i dyshuar për aktivitet kriminal.
Balili u shpall në kërkim nga interpoli në 17 maj të vitit 2016. Por në tetor 2016, lapsi.al botoi një lajm sipas të cilit, Balili, shëtiste i lirë në Sarandë, i pashqetësuar nga policia dhe agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, ndonëse ndaj tij ekzistonte një urdhër- arresti nga policia greke. Madje Lapsi.al raportoi atëherë se Balili kishte festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasmë.

Personi që martohej kryente detyrën e drejtorit të Transporteve në Sarandë, pozicion që më parë e mbante vetë Kel Balili, përpara se të shkarkohej kur u shpall në kërkim nga policia greke si kreu i një bande që trafikonte drogë në Evropë. Gjatë gjithë kohës, ai ka qëndroi i ulur në tavolinën e dasmës bashkë me kreun e Partisë Socialiste në Tepelenë, Dino Selimi që mbante edhe postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transporteve në Gjirokastër. Në fotot lart, bashkë me Balilin është shënuar me rreth të kuq edhe Selimi, zyrtari i lartë i Transporteve në Gjirokastër.
Fotot e mësipërme që Lapsi publikoi vërtetojnë më së miri faktin se Klement Balili, ashtu siç raportohej nga agjencitë ndërkombëtare të antidrogës, ka pasur mbështetje politike si gjatë aktivitetit të tij të dyshuar kriminal, ashtu edhe në mosveprimet për ndalimin e tij.
Ndërkohë që emri i tij u përfshi edhe në luftën politike të vendit, në nëntor të 2017-ës policia dhe gjykata vendosën në sekuestro resortin “Santa Quaranta” në pronësi të familjes Balili. 43-vjeçari prej më shumë se 2 vitesh vijoi arratinë ndërkohë që mbeti një nga personat më të kërkuar në vend.
Donald Lu e quajti “magjistari” Klement Balili. Trafikanti i drogës i dënuar dhe kërkuar ne Greqi dhe i dënuar për amerikanët u fshih deri në fund në Shqipëri. Ne radhët e policisë flitej për disa operacione të dështuara për ta kapur, në Sarandë, Gjirokastër apo edhe qytetet të tjera.
U fol gjithashtu se Balili disa kohë mbahej i fshehur nga grupe kriminale në Shkodër.
Për Balilin tani po flitet si të ishte një mit që nuk po bie në duart e drejtësisë.
Diplomatët e huaj kanë kritikuar punën e policisë për moskapjen e tij dhe u krijua ideja një mit që nuk po bie në duart e drejtësisë. Për “kokën” e Eskobarit të Ballkanit u vendos edhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh, por të gjitha këto dështuan pa sukses. Deri sa erdhi kjo ditë janari dhe Klement Balili vetndosi ti japë fund arratisë së tij. Policia nuk arriti ta kapë, drejtësia dështoi. Dhe ndoshta vetëm se u lodh u mërzit apo se bëri një pakt, Eskobari i Ballkanit vendosi të dorëzohet duke ruajtur mitin e të kërkuarit të pakapshëm.
©Lapsi.al