Flash

Presidenti Meta refuzon ministrin: I papërgjegjshëm dhe i papërvojë

Lapsi.al 10 January 2019
Presidenti Meta refuzon ministrin: I papërgjegjshëm dhe i

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme.

Duke argumentuar faktet për refuzimin e tij, presidenti Meta ka renditur një sërë arsyesh se pse Cakaj nuk është njeriu që mund të drejtojë Ministrinë e Jashtme.

Meta argumenton se Shqipëria ndodhet para zhvillimeve të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, ndërsa edhe çështja e kufijve të Kosovës kërkon që në krye të ministrisë së Jashtme të jetë një njeri me përvojë të madhe diplomatike.

"Profili i z. Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi." - shkruhet në letrën që kreu i shtetit i ka dërguar Ramës. (letra e plotë më poshtë) 

Meta e nis letrën me qëndrimin pro ndryshimeve të kufijve në Ballkan që Cakaj mbajti në një intervistë në televizionin 'Klan Kosova'.

Sipas Metës, këto janë deklarata të rrezikshme me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.

"Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon." - shkruhet në letër.

Meta më pas rreshton në letër problemet, sipas institucionit të Presidentit, që Cakaj ka me përgjegjshmërinë në punë dhe pastërtinë e figurës së tij. Në letër theksohet se Cakaj ka neglizhuar për 7 muaj plotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me çertifikatën e sigurisë, çka kanë rezultuar në pengimin e verifikimeve të nevojshme ndaj tij, si pasuria, siguria dhe besnikëria ndaj vendit.

"Ndërkohë, nga informacioni i administruar rezulton se i gjithë procesi për verifikimin dhe vlerësimin e sigurisë për të përcaktuar nëse z. Gent Cakaj, është një individ besnik, i besueshëm dhe i sigurt që vërteton nga pikëpamja e sigurisë se ai i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar, është realizuar në më pak se 24 orë. 

Ky veprim tregon qartë se procesi i verifikimit, nuk është kryer i plotë, nuk është objektiv, por i ndërmarrë vetëm për përmbushjen proceduriale (jo përmbajtësore)  të informacioneve shtesë që do të mund të kërkonte Presidenti i Republikës në funksion të verifikimit kushtetues për shkak të procesit të emërimit të këtij shtetasi në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme." - shkruhet në letër.

Presidenti përmbyll letrën duke theksuar se Gent Cakaj nuk ka integritetin për të mbajtur këtë detyrë.

“Kandidatura e Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese si Kreu i Shtetit, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare  dhe rolit të rij specifik kushtetues në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, refuzon propozimin tuaj për emërimin e Gent Cakaj në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë” - konkludon Meta në letrën që kreu i shtetit i ka dërguar Ramës.

Kërkesat për ndryshime në qeveri, Rama ia dorëzoi personalisht Metës më datë 4 janar pas një takimi të shkurtër. Një ditë më pas, Meta firmosi pa hetizim lirimin e të gjithë ministrave të propozuar nga Rama, me përjashtim të Ditmir Bushatit. Duke emëruar vetëm katër prej tyre, Meta la pezull propozimin për Gent Cakajn, i cili u paramendua nga Rama si zëvendësuesi i Bushatit.

Vetë Meta deklaroi se nuk dekretoi shkarkimin e Bushatit pasi Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk mund të lihej pa një ministër në krye. Ai cilësoi më tej se ishte në pritje të informacioneve verifikuese për integritetin e Gent Cakajt.

©Lapsi.al 

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI