Pagesa, vonesa, mosardhje, anullim udhëtimi për fazën përgatitore. Kjo është ajo që përjeton Flamurtari që po kalon një moment aspak të paqtë. Situata është agravuar shumë me vendimin për të anulluar rrugën për në Turqi, për fazën përgatitore, lidhur kjo me çështjen e Danilo Alvesh. Braziliani është rebeli i parë i problemeve financiare të klubit, duke mos u kthyer në kohë në Vlorë, por duhet të bëjë llogaritë me reagimin e hekurt të administratorit Sinan Idrizi që ka saktësuar se cdo ditë vonesë do të sanksionohet me gjobë, ndërkohë që për situatën i është dërguar letër edhe FIFA-s.
“Kemi dërguar një letër në Fifa dhe një lojtarit – shprehet Idrizi – ku i bëjmë të ditur situatën. Cdo ditë që kalon lojtari, që duhet të kishte dalë sot në stërvitje, do të ndëshkohet me gjobë”.
Probleme ka edhe pse sipas Idrizit jo në shkallën që pretendohet. Cështja ka dy variante, sepse nëse lojtarët kanë pretendime për një kohë më të gjatë pa pagesë, Idrizi pretendon se bëhet fjalë për një apo dy muaj vonesë pagash. “Vonesa ka, ndoshta një apo dy muaj, por kur lojtarët kanë marrë 30% të pagesës në dorë, pa derdhur fare djersë, atëherë kam përshtypjen se duhet të durojnë pak, sepse nuk është se nuk dua unë ta bëj pagesën”.
Ajo që është e rëndësishme sipas numrit 1 të klubit është privatizimi, me të cilin këto vonesa nuk do të ekzistonin: “Nuk është problem procedure – tha administratori i Flamurtarit – nuk e kam thënë kurrë këtë. Por cdo lëvizje duhet të kalojë përmes bankës dhe duke qenë se nuk ka marrëveshje sponsorizimi duhet konfirmuar cdo lëvizje dhe kjo nuk bëhet cdo muaj. Nëse do të ishte privatizuar klubi, të jeni të sigurtë se këto vonesa nuk do të ishin”.
Nuk ka problem sipas Idrizit, por ka sipas lojtarëve, ajo që mbetet për tu parë është se cfarë do të ndodhë më tej, sepse me konsideratëne e një situatë normale, Idrizi deri tani ka humbur garën për titull dhe me shumë mundësi edhe atë për Europë. Për momentin këto probleme kanë ndikuar bllokimin e rrugës në Turqi për fazën përgatitore, situatë që Idrizi e kalon me batutë: “Nëse nuk iu përlqeu që iu thashë në Kurvelesh dhe Leskovik, atëherë po them në Kurvelesh dhe Ersekë…edhe pylli i Sodës nuk është keq”.