(VIDEO) Kur Ermal Mamaqi këndonte kundër Ramës
Ky spot televiziv (poshtë) që porsa u shfaq me pamjet e llahtarshme të një kryeministri që dukej më show man se Mamaqi nxiti debate të mëdha. Një zëri të gjithë kundërshtarët e Ramës e akuzuan si nje emision të stisur, në stilin e TV KLAN, ku kryeministrit në hall i duhej një operacion marketingu. https://youtu.be/u6aYyJUtE9o Vetë Mamaqi, që me sa duket e ndjeu peshën e të qenit në syrin e ciklonit, bëri një hyrje të gjatë në fillim të emisionit për të thënë se, qe ai që e kishte kërkuar Ramën për “dialog”, se detyra e tij ishte të bënte humor dhe të kapte audiencën më të lartë, përmes një njeriu që e shohin të gjithë, sepse gjysma e duan dhe gjysma e urrejnë. Pikërisht kjo gjë i ka hedhur benzinë zjarrit të debatit: A është qëllim vetëm audienca në raste të tilla? A justifikohet me humorin shtrembërimi i realitetit? Një nga njerëzit më kritikë me këtë shfaqe ka qenë edhe pedagogu Ergys Mërtiri. Ai e akuzoi para emisionit, Mamaqin se po bënte lavazhin e sforcuar të një kryeministri në hall. Mamaqi dhe Rama u morën shumë me të gjatë intervistës dhe humoristi doli me shprehjen banale: “Mua nuk më rruhet, mua më intereson audienca”. Andi Bushati: "Xing me Ermalin" si Shqipëria që ëndërron Edi Rama “Natyrisht, një drejtues emisioni është i interesuar për audiencën, siç u justifikua vetë Mamaqi, në shpjegimet që u mundua të japë për ftesën e bërë ndaj Kryeministrit shkruan Mërtiri dhe vazhdon: Por audienca, ashtu si dhe paraja, kërkon të fitohet brenda disa parimeve etike. Të fitosh audiencë duke i shërbyer qeverisë në momentet më kritike të saj, kur realiteti është kaq dramatik dhe indinjata shoqërore kaq e thellë, është thjesht dhe vetëm e turpshme. Askush nuk i ka kërkuar Mamaqit të rregullojë këtë vend, ndonëse do të ishte në dinjitetin e tij të ushtronte detyrën morale të profesionit që ka marrë përsipër, duke pohuar të vërtetat e dhembshme që rëndojnë qytetarët. Dakort, po e tolerojmë faktin që nuk e bën këtë, por nuk ia ka askush fajin kur bën të kundërtën, duke i shërbyer qeverisë për të trukuar imazhin e për të zbutur indinjatën qytetare” ka reaguar ai. Por disi më i butë tregohet gazetari i djathtë Alfred Lela në një editorial të tij në Politiko.al. Duke nënvizuar se Mamaqi e fiton jetesën duke bërë për të qeshur, ai thotë: “Në këtë kuptim nuk mund t’i kërkosh parodistit një ‘dalje’ nga vetja, mohim të vetes, shmangie të rolit i cili ai vetë është. Ermali nuk është intelektual publik, nuk mund të presim prej tij akte ala Çelentano apo Roberto Beninji. Jo vetëm se nuk ka pjekurinë, por as edhe shkallën artistike; si të vetëdijes dhe të intepretimit” e justifikon Lela shfaqen e Ermalit duke përmendur mangësitë e tij. Por edhe kjo nuk mjafton si alibi për Ergys Mërtirin. Ai këmbëngul -, duke u nisur edhe nga ato që drejtuesi i programit tha në fillim të emisionit-, se Ermali nuk ka pasur qëllime qesharake, por edhe politike: “Mamaqi u shpreh i habitur se përse njerëzit nuk reagojnë kur Rama del në emisionet e debateve politike, por reaguan aq fort kur doli në emisionin e tij. Si pa dashje, ai e vendos emisionin e vet tek ato politike, në një lapsus mjaft domethënës që buron drejtpërdrejtë nga subkoshienti. E pra njerëzit, si dhe vetë Ermali, e kuptojnë se ai po bën politikë më shumë se humor dhe kjo është arsyeja përse reagimi bëhet masiv. Shto këtu edhe faktin që kjo gjellë iu shpërndahet masave për ditë festash dhe situata nuk ka më nevojë për koment”. Por atyre që e kritikojnë Mamaqin nga këndvështrimi opozitar iu është kthyer kundër Artur Zheji. Në një editorial në 360 gradë, ku thekson se “Rama nuk rrëzohet tek Ermali por tek sheshi” Zheji e merr në mbrojtje Mamaqin duke e trajtuar jo si një humorist, por si reklamuesin e produkteve si Golden Eagle. “…kjo është si në reklamat televizive, që shesin mallin e vet, në këtë rast, Ermali na “shiti” një kryeministër, shumë më të mirë se çe pandehin studentët, naftëtarët apo hallexhinjtë që ndjejnë ftohtë në këtë sezon, por këtë Ermali e ka bërë edhe me shumë të tjerë… edhe me opozitarë përshembull, që nuk janë të pashëm, së jashtmi dhe së brendshmi, me biznesmenë gjithashtu, po që dalin bukur fare në studion e tij. E thënë me dy fjalë: Ja ka lyp Rama, në këtë rast Ermalit, një bojatisje dhe jo anasjelltas” ka shkruar Zheji. E megjithëse Ermal Mamaqi deklaroi publikisht se nuk i rruhet për këto debate, ato vazhdojnë pavarësisht nga ai, me disa që e masakrojnë dhe të tjerët që e mbrojnë thjeshtë duke e trajtuar si një reklamaxhi që bën për të qeshur. ©Lapsi.al