Polices që humbi tre gishtat në protestën e banorëve të « Astirit » makineria e propogandës qeveritare po i kushton shumë më tepër hapsirë sesa dhjetra ish kolegëve të saj që kanë humbur jetën në luftë të drejtpërdrejtë me krimin. Të shtunën një duzinë zyrtarësh të lartë të Rendit dolën të reklamonin në Rinas rikthimin e saj triumnfal me gishta të rivendosur në Turqi. Ndërsa një ditë më pas, në zyrën me flutra atë e pritën së bashku edhe kryeministri Rama edhe ministri Lleshaj (video poshte). Ata me pacipësi deklaruan para publikut, ashtu si në të gjitha bamirësitë që bëjnë, se do ti jepnin Ina Nukës kompensim moral dhe financiar.
Në të dyja rastet edhe kur u largua edhe kur u rikthye në Shqipëri nuk është nevoja të thuhet se për fotot u kujdes vetë zyra e shtypit të kryeministrit .
Po pse gjithë kjo zhurmë gëbelsiane që ia kalon edhe asaj ndaj 259 policëve që kanë rënë dëshmorë në luftë me krimin ?
E gjitha e ka një arsye.
Ajo filloi që ditën kur banorët e Unazës së re vendosën të protestojnë në mënyrë të dhunshme para parlamentit.
Kapsolla që ra mbi policen që ishte rreshtuar e pambrojtur në rresht të parë, u bë refreni i Edi Ramës. Po të kërkosh edhe sot në Google me fjalët kyçe “Rama, policja” gjen mbi 20 shkrime mediash me titullin: “Rama puth policen në ballë”.

Vetë kryeministri u kujdes ta përdorte rastin e saj si mburojë para spitalit, kur e goditën me këpucë familjarët e protestuesve të plagosur, të postonte video me nënën e saj, të jepte i pari lajmin se do dërgohej në Stamboll dhe se aty operacioni doli me sukses.
Për ta fuqizuar melodramën - edhe ashtu shumë prekse -mediat që i marrin temat dhe titujt nga qeveria nxituan të botonin fotot e kësaj vajze simpatike duke krijuar një antitezë emocionale me atë që kishte ndodhur.


Kulmi arriti kur hapi gojën edhe sharlatani i bashkisë, ai që ka aftësinë për të banalizuar deri në qesharakëzim gjithçka: Ai hodhi bombën se ajo nuk do të gjente dot më as burrë.
E njëjta gjë po ndodh edhe tani kur u kthye nga Stambolli, me historinë e Inës e cila nuk është asgjë më shumë sesa viktima e vetme e gjithë kësaj zhurme.
Po përse?
Për një arsye të thjeshtë.
E para se Ina e pësoi në atë përballje me demostruesit e dhunshëm për fajin e vetëm të shefave të saj që me sa duket i urrejnë dhe trupat speciale, po aq sa policat barrkdera dhe mustaqellij. Ajo u dërgau atje, jo për të bërë detyrën, por si fasadë e një policie simpatike dhe të hijshme. Prandaj ajo qe pa paisjet e nevojshme mbrojtëse.
Por më e rëndësishmja është tjetër gjë. Ina Nuka qe në vendin ku gati u dënua në mënyrë të pariparueshme, në anën e gabuar të barikadës. Sepse pavarësisht se ajo do të zbatonte betimin si profesioniste, ajo qe përballë atyre njerzve që donin të ruanin shtëpitë e tyre nga plani i një vjedhjeje 40 milionë euroshe, me projekt “të falur”, me tender të trukuar dhe me dokumenta të fallcifikuara.
Në këtë kuptim, megjithëse po respektone uiniformën, në thelb ajo po mbronte një bandë kleptokratësh kundër qytetarëve.
Dhe fatkeqësisht, ajo po përdoret si instrument propagande pikërisht për këtë qëllim: se mbrojti grabitësit nga viktimat e tyre. Për të dhënë shembullin se ai grusht njerëzish që po rrjepin Shqipërinë nuk janë pak. Se ata janë në gjendje ti shndërojnë në “heroj” ëngjëjt mbrojtës të krimeve të tyre.

Lart Ina Nuka duke u nisur per Turqi e shoqeruar me fotograf dhe te shtunen kur mbriti e pritur me lule nga zv ministrja e brendeshme

Prandaj Ina Nukës po i bëhet kaq shumë propagandë nga një qeveri që policët që kanë dashur të luftojnë me drogën apo me përdhunuesit e vajzave, i ka burgosur dhe nisur drejt azilit politik.
©Lapsi.al