Një lajm i vërtetë apo thjesht një Fake News është përhapur papritmas mes dhjetëra studentëve që sot ishin të ftuar në emisionin “Opinion”. Aty mund të futej inkonjito kryeministri Rama për të realizuar de facto dialogun e refuzuar nga studentët. Por sapo u hap ky lajm menjëherë studentët janë ngritur njëzëri duke thirrur se nuk e pranojnë në studio dhe se ata do të largoheshin po të shkelte aty këmba e kryeministrit.
Menjëherë në ekran ka dalë kryeredaktorja e Opinion Desada Metaj që e ka mohuar këtë lajm. Më pas edhe vetë Fevziu ka cituar burime pranë kryeministrit që thanë se Rama s’ka dashur shumë të ndërhyjë në studio.
Asnjëherë nuk u morr vesh se sa i vërtetë ishte lajmi. Ndoshta ai ka qenë pjesë e një paranoje të mbështetësve të protestës. Ndoshta vërtet Fevziu ka dashur të arrijë një nga ballafaqimet epike, që ka realizuar në vite.
Apo thjeshtë kjo ka qenë një manovër e hollë e Fevziut për të diskredituar Top Channel, i cili po përpiqet të organizojë një ballafaqim fals mes kryeministrit dhe studentëve të përzgjedhur prej Ramës. ©Lapsi.al