Këngëtarja Era Istrefi, pritet të jetë në listën e personave të njohur të cilët pritet të pushtojnë botën në vitin 2019.
Ajo është përfshirë në listën e 28 personave që do kenë më shumë ndikim në botë, në një klasifikim të bërë nga ‘Politico’.
Në shkrimin e portalit në versionin e Europës thuhet se, “Era Istrefi po e vendos Kosovën në hartë edhe nëse dikush nuk e do aty”.
Më tej nënvizohet se këngëtarja 24-vjeçare nga Prishtina, ka përjetuar një famë të shpejtë ndërkombëtare, pasi një prej këngëve të saj në shqip, u bë hit në botë, duke i siguruar edhe kontratën e parë me një kompani amerikane.
Ndër të tjera thuhet se Era arriti të bashkëshkruajë dhe performojë himnin e Kampionatit Botëror ‘Live It Up’, bashkë me këngëtarët Nicky Jam dhe Will Smith.
Nënvizohet se dhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, Istrefi është pjesë e gjeneratës së re të artistëve dhe yjeve të sportit që po promovojnë vendin dhe Ballkanin si imazh alternativ në krahasim me atë të dominuar nga varfëria, krimi dhe politikanët e korruptuar që grinden për të ardhmen.
Krahas Erës, në shkrim përmendet edhe Rita Ora dhe futbollisti Xherdan Shaqiri, për rolin e tyre në botë.
