Ndonëse është ditë feste, banorët e zonës së Astirit që preken nga projekti i Unazës së Re kanë dalë sërish në protestë në ditën e 25 të tyre, duke hapur një flamur 6 metra të gjatë.
Ata shprehen se kjo është një ditë feste, por edhe beteje kundër këtij regtjimi.
Banorët, shtëpitë e të cilëve janë në plan për t'u prishur për t'i hapur rrugë projektit të Unazës së Re, kanë bllokuar rrugën kryesore dhe shprehen se banesat i kanë të ndërtuara me gjak.
Sipas tyre, policia po i provokon çdo ditë.
“Do e vazhdojmë protestën deri në fund dhe shtëpite nuk i dorëzojmë. Jemi shqiptarë dhe nuk jemi serbë. Do e ngrejmë flamurin dhe shtëpitë tona do i mbrojmë se i kemi me gjak. Ne kemi mbështetjen e banorëve sepse kërkojmë shtëpitë tona dhe nuk i nxjerrim fëmijët jashte.
Të gjithë bashkë jemi për një qëllim. Kjo është ditë festë dhe ditë beteje kundër këtij regjimi. Vetëm ata në kohën e Enver Hoxhës silleshin në këtë mënyrë. Veprojnë natën në mënyrën më të turpshme. Po provokohemi çdo ditë nga policia.”- shprehen qytetarët, raporton 'Neës 24'.
Të pranishëm sot në protestë janë edhe deputetë të opozitës.
Një nga banorët theksoi se procesi i legalizimit tek “Unaza e Re” është bërë më miqësi dhe me ndërhyrje. Ai i bëri thirrje qeverisë të marrë masa sa nuk është bërë vonë.
“Legalizimet janë bërë me miqësira me ndërhyrje. Këtu ke një objekt që gjysma është e legalizuar dhe gjysma jo. Projekti të vijojë, por ne duhet të dëmshpërblehemi. Unzën e re e kemi ndërtuar ne, i bëj thirrje të mendojë mirë. Më mirë tani se më pas do të jetë vonë”, - u shpreh një protestues.
Ndërkohë një tjetër protestues i tha gazetares Klodiana Lala se ata do të tërhiqen kur të largohet oligarkia.
“Kur s’u tërhoqën dje që binte shi, si mund të tërhiqemi sot ne. Kur të tërhiqet oligarkia atëherë edhe ne do të tërhiqemi" - tha një tjetër protestues.