Partizani është gati për një ndeshje delikate në Vlorë, por pauza e kombëtares nuk ka qenë më fat për të kuqtë. Alban Hoxha është dëmtuar përpara humbjes me Skocinë dhe nuk ka rikuperuar për ndeshjen e të premtes me Flamurtarin. Një goditje e rëndë për teknikun Skënder Gega, që ka humbur kapitenin në një transfertë nga më të vështirat: "Kapiteni Alban Hoxha nuk ka mundur të rikuperohet 100%, ka deklaruar tekniku në konferencën për shtyp -, kështu që i jepet shansi Xhikës dhe besoj shumë tek ai".

Për Partizanin pauza e kombëtares bëhet një makth, sepse portieri është dëmtuar edhe një muaj më parë, në tetor, përpara sfidave me Jordaninë dhe Izraelin. Dicka duket se nuk është bërë mirë me titullarin e të kuqve, nga stafi mjekësor i Partizanit. Hoxha vuan nga një zgjatim i ligamentit të gjurit të djathtë, dëmtim të cilin e ka të mbartur prej kohësh, për më tepër që ka sakrifikuar disa ndeshje.
Në fakt, kohët e rikuperimit të portierit një muaj më parë u sforcuan, ndoshta për faktin se u kërkua me ngulm që kapiteni të ishte në fushë kundër Skënderbeu. E kjo gjë ka bërë, që zgjatja e ligamentit anterior të japë simptomat përsëri një muaj më vonë, duke bërë që tashmë stafi mjekësor të tregohet i kujdesshëm për të mos rrezikuar një dëmtim edhe më të rëndë të numrit 1 të portës kryeqytetase.
"Besoj java tjetër është më ndryshe dhe Albani mund të jetë gati gjë, por për momentin kemi besim tek Xhika", komentoi Gega.