Sikundër Lapsi.al ka raportuar ekskluzivisht gjatë pasdites, presidenti Ilir Meta është dorëzuar. Ai e ka dekretuar emrin e Sandër Lleshajt si Ministër i Brendshëm. Dekreti i tij pritet të zyrtarizohet në orët në vijim, teksa sonte në mesnatë skadont afati kushtetues.
Ilir Meta e refuzoi fillimisht emrin e Lleshajt si pasues të Fatmir Xhafës në Ministrinë e Brendshme. Por Rama e dërgoi sërish për dekretim.
Kundër Metës nuk ishte vetëm mazhoranca, por pati edhe një presion ndërkombëtar për dekretimin e Sandër Lleshajt. Diplomatë të BE-së dhe ambasadës amerikane në Tiranë bënin thirrje për një ministri funksionale, teksa theksonin se nuk dinin të kishte arsye bindëse përse Presidenti duhej ta refuzonte emrin e ri të propozuar nga Rama. Gjatë ditës së sotme, Meta ka dekretuar lirimin e Sandër Lleshit nga grada Gjeneral.
Kërkesën për të mos qenë më gjeneral e kishte bërë tek kreu i shtetit vetë Sandër Lleshaj. Tashmë ish- këshilltari i Ramës për sigurinë do të jetë de jure Ministri i Brendshëm. Herën e parë kur kryeministri coi emrin e tij në
Presidencë për dekretim, Meta tha se nuk kishte krijuar bindjen e plotë për emrin e Lleshajt. Presioni ndërkombëtar, por ndoshta edhe mbyllja e ndonjë pazari me Edi Ramën, e zbythën kreun e shtetit përballë kryeministrit. Në limitet e afatit kushtetues, ai ka hedhur firmën për ministrin e ri.
Pas refuzimit të parë, Rama bëri lëvizjen e tij. Emëroi Lleshajn si zv.ministër, për të drejtuar de fakto Ministrinë e Brendshme deri në pritje të dekretimit nga Meta. Fakti që Rama e dërgoi sërish për dekretim, do të thotë se mund të ketë ditur dicka që kësaj here Meta s'kishte nga t'ja mbante.
©LAPSI.al
