Në 17 nëntor vizitore në Loro Borici vjen Skocia. Pretendimet e Shqipërisë nuk janë sigurisht ato të fillimit të turneut të Ligës së Kombeve, ndaj, edhe pse mbërrijnë "Highlanders", Federata Shqiptare e Futbollit duhet të bëjë atë që e ka më pak për zemër: të ulë çmimet e biletave. Nuk është në filozofinë e institucionit që drejton futbollin në vend të mendojë si tifozët, por këtë herë është e detyruar ta bëjë, por edhe në këtë rast dorështrënguar.
Uljet nuk janë ato që duhet të ishin për të ftuar tifozët të mbështesin skuadrën e tyre në një ndeshje që më shumë se për ta, ka rëndësi për kombëtaren dhe FSHF, të mos zbresin një Ligë më poshtë në kompeticionin ku menduan se mund të arrinin finalet e Europianin kur nisi. Kështu nga 9 mijë lekë të reja Tribuna Vip, tek 4 mijë të tribunave A dhe B, ndërsa uljen më të konsiderueshme e ka marrë sektori ballor D. Për të qenë korrekt, dhuratë është edhe një fanellë që tashmë po bëhet e pranishme si bonus i cdo ndeshje, që i takon Euro 2016, pavarësisht se nga ajo kohë dizajni i fanellës kuqezi ka ndryshuar totalisht.
Cmimet më të ulura janë për miqësoren e 20 nëntorit në Elbasan Arena, ku Vipat mund ta marrin me 6 mijë lekë biletën, tribunat A dhe B variojnë nga 4 mijë në 2 mijë lekë, ndërsa ajo përkarshi E kap shumën e 1 mijë lekëve.
Gjithcka në rregull, vetëm se ndoshta FSHF ka harruar se bashkë me Uellsin vjen edhe Gareth Bale. Po të ishte kujtuar, me siguri që cmimet nuk do të ishin ulur kaq...