Flash

Rikthimi i Mid’hat Frashërit/ Nderim për një erudit apo rehabilitim për një kolaboracionist

Lapsi.al 13 November 2018
Rikthimi i Mid’hat Frashërit/ Nderim për një erudit apo

Vendimi politik i qeverisë Rama, për të sjellë në Shqipëri arkëmortin e Mid’hat Frashërit dhe për ta renditur atë përkrah pinjollëve të tjerë të së njëjtës familje, nuk ka dyshim se bëhet për t'i hequr pluhurin e punizmit rilindasve të sotëm. Por kjo manovër taktike e ditës, ka ngjallur një debat të madh me argumenta dhe kundërargumenta. Thelbi i tij vërtitet rreth pyetjes se kë po nderojmë, birin e Abdyl Frashërit, firmëtarin e pavarësisë, antarin e qeverisë së Ismail Qemalit, diplomatin e parë në Athinë, eruditin dhe themeluesin e bibliotekës së parë, studiuesin e rrallë të albanologjisë apo thjeshtë një bashkëpunëtor të fashistëve dhe nazistëve.

Sepse krahas këtyre, Mid’hat Frashëri njihet në historinë e politikës edhe si themeluesi i Ballit Kombëtar, kësaj historie turpi të bashkëpunimit me italianët dhe gjermanët. Për Profesor Paskal Milon që i ka dhënë një intervistë gazetës Panorama, Frashëri, si lider i “BK”, ka përgjegjësi për nënshkrimin nga formacioni i tij të marëveshjes Dalmaco- Këlcyra, e cila angazhohej të luftonte përkrah pushtuesve italianë forcat antifashiste.

Sipas Milos,  Frashëri është një figurë me dritë- hije: “Mid’hat Frashëri në formim ka qenë liberal, por nuk kishte vullnetin e fortë të veprimtarit politik konsekuent dhe në terren. Kjo e çoi në kompromise e bashkëpunim edhe me qeveritë kolaboracioniste. Ishte njeri intelektual, që nuk rrezikonte të dilte jashtë komoditetit të kësaj jete dhe iu përshtat rrethanave të pushtimit për të ruajtur statusin e mirëqenien. Nacionalizmin e ruajti si trashëgimi familjare dhe më tepër e përdori si filozofi mbijetese dhe jo si flamur aksioni në luftën kundër fashizmit. Vlerat e tij të mëdha si dijetar, njeri i kulturës dhe i shkencës, nuk ndikuan në orientimin e tij politik në vitet e luftës. Mid’hat Frashëri si politikan e kryetar i Ballit Kombëtar, është një hije e Mid’hat Frashërit si albanolog, bibliofil e antikuarist. Vorbulla e kolaboracionizmit e kompromentoi”.

Ndonëse bashkëpunimi me gjermanët sa erdhi dhe u bë më i madh në Shqipëri, mbrojtësit e kolaboracionizmit mendojnë se ai u bë për qëllime nacionaliste. Kështu Visar Zhiti, në një shkrim me rastin e kthimit të trupit të Mid’hat Frashërit, thotë: “Kolaboracionizmi është, ndonjëherë a shpesh, a përherë, i pashmangshëm, por çështja dhe çelësi është ky, sipas meje: a ishin kolaboracionistët me të huajin në dëm të atdheut apo në dobi të atdheut”? Dhe Zhiti përgjigjet vetë për Frashërin dhe për të tjerët: “Shqipëria është ndër ato vende fatlume se të gjithë ata që akuzoheshin për kolaboracionizëm dhe bënë, asgjë nuk e kanë kundër atdheut”.

Por studiuesit e huaj nuk mendojnë kështu. Në kujtimet e të dërguarit të Hitlerit për Ballkanin, Nohbajer, del qartë se forcat nacionaliste mbështesnin pushtuesin dhe se qeveritë kuislinge mbaheshin në këmbë nga rendi që ruanin ushtarakët gjermanë. Po ashtu një studiues i njohur i periudhës mes dy luftrave në Shqipëri, Brend Fisher ka konkluduar kështu në librin e tij për Luftën e Dytë Botërore: “Gjatë pushtimit gjerman shumica e anëtarëve të Ballit Kombëtar rrëshqitën në një kolaboracionizëm më të plotë sesa ç’kishin pasur me italianët. Çetat e Ballit nisën të informonin gjermanët rreth veprimtarisë së LNÇ; më pas ato filluan të merrnin fonde nga gjermanët… nga fillimi i shkurtit 1944, oficerët britanikë njoftonin se forcat e Ballit ishin bërë tashmë pjesë normale e çdo force gjermane”. 

Pra nuk ka dyshim se tani, gjysëm shekulli më pas, po pritet me nderim në Shqipëri, një figurë me shumë merita si për pavarësinë po ashtu edhe për kulturën kombëtare, por që u largua nga kjo tokë me një autokolonë të turpshme kolaboracionistësh.

©Lapsi.al

Të këshilluara

Brenda shtëpisë luksoze të Morena Tarakut

Morena Taraku ka hapur dyer e shtëpisë për fansat dhe i ka bërë në tur rreth e qark përmes postimeve në “Instagram”. Këngëtarja e hitit “Femnat” prezantoi shtëp...

16:36

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI