Diferencat në një ndeshje futbolli nuk janë pikët që ndajnë skuadrat në klasifikim, por vetëm ato tre që fitohen në fushë. Flamurtari duhet ta dinte këtë gjë, sepse në fushë kundërshtari luajti si i barabartë duke i krijuar jo pak vështirësi vlonjatëve. Objektivat ishin të ndryshëm: Flamurtari donte një tjetër fitore për tiu afruar zonës europiane, ndërsa Luftëtari të largohet nga zona e rënies nga Kategoria. Për këtë duhej një fitore që askush nuk e mori, duke lënë një barazim të ftohtë që nuk i bëri punë askujt.
E megjithatë, në mbrëmjen e zhgënjimit për një performancë krejt tjetër nga ajo e fitores në transfertën e Kukësit, kuqezinjtë mund të kapen fort pas një tjetër episodi në disfavor: 11 metërshi i munguar në minutën e 33. Një prekje e topit me dorë brenda zonës, u duk shumë evidente, por jo për gjyqtarin Ferhataj që nuk ishte i këtij mendimi.
Protestat e vlonjatëve nuk mund të ndryshonin asgjë, në fakt si ka ndodhur edhe në raste të tjera. Duket se kuqezinjtë janë viktima e preferuar e arbitrave. Vetëm një javë më parë tekniku Ilir Daja kujtoi episodet në disfavor të skuadrës së tij, pa dashur ti heqë përgjegjësitë nga vetja.
Me pikën e sotme vlonjatët u ngjitën në kuotën e 19 pikëve, ndërkohë që gjirokastritët mbajnë vendin e 8-të me 10 pikë.