Në disa nga mediat kritike me qeverinë, ka bërë përshtypje fakti se përse shkarkimi i kësaj të marte, me 75 vota, i Fatmir Xhafës, u bë me urgjencë në një seancë speciale të parlamentit, të mbledhur enkas për këtë punë. Kjo është parë si një shenjë tjetër e thyerjes Rama- Xhafa, aq më tepër në një kohë kur vendi është pa ministër të ri të Brendshëm dhe formalisht Xhafaj duhet të qëndrojë në detyrë.
Ai është parë si një nga ato mesazhet e kriptuara, që mezi lexohen mes një gjuhe të drunjtë dhe që vërtetojnë një tezë që shumëkush nuk e sheh, atë të thyerjes mes kryeministrit dhe ish ministrit të tij.
Dhe ato nuk kanë munguar.
Ato fillojnë me Twiterin e thatë, me të cilin Rama shpalli dorëheqjen e Xhafës. Më pas me replikat e tyre në distancë kur kryeministri nga Lushnja tha “se kush ndihet i lirë të hedhë gurë mbi shtëpinë tonë të PS, më mirë të iki”.
Të gjithë ata që kërkonin të gjenin gjilpërën e sherrit mes kashtës së socialistëve, e panë një batutë tjetër të Xhafës si një kunjë kundërpërgjigjeje ndaj Ramës. Kur ish ministri postoi mesazhin se ai ishte një njeri i lirë dhe vetvetja (poshtë) dhe se e neveriste ligësinë, ata bërtitën për rindezjen e sherrit.

Dhe loja vazhdoi. Njësoj u interpretua edhe shfaqja e ish ministrit në krah të Erion Veliajt dhe shprehja e tij me dy kuptime se “dikush e do pushtetin për të qëndruar për ambicjet e tij dhe dikush tjetër për njerëzit”.
Po nga i njëjti këndvështrim, u interpretuan edhe "kunjat" e mesazhit të lamtumirës para policëve të Fatmir Xhafës, të hënën, kur ai theksoi se në disa raste shteti ka qenë në anën e krimit dhe ku nuk la pa përsëritur turpin e kanabizimit.
Po a duhen parë këto si sinjale anti Rama?
A nuk është shenjë e qartë e një ndarjeje me kryeministrin, fakti se ish ministri e quan turp kanabizimin dhe pranon se në disa raste sheti ka qenë në anën e krimit, ndërkohë që Rama i quan "makineri balte" të gjithë ata që mendojnë në këtë mënyrë?
Këto pyetje do të merrnin një përgjigje pozitive, nëse Fatmir Xhafa nuk do të kishte dhënë edhe mesazhe të tjera. Ai mëse njëherë ka theksuar se dorëheqja qe fryt i vullnetit të tij të plotë, ndryshe nga ç'pretendojnë kundërshtarët e Ramës. Në mëse një rast ai e ka falenderuar kryeministrin për mbështetjen dhe as nuk i ka cekur hipotezat që gëlojnë në treg se ai u detyrua të largohej pasi donte të arrestonte "peshq të mëdhenj".
Pra të gjithë ata që duan të shikojnë tek Fatmir Xhafa një disident, apo një socialist tradicional, që nuk bie dakord me metodat e rilindjes, vetë ish ministri i ka lënë me gisht në gojë.
Edhe në fund ai tha se do të vazhdojë të mbështesë nga Kuvendi punën e policisë së shtetit dhe reformën në drejtësi, që të gjithë ata që projektonin në ëndrrat e tyre një Xhafë tjetër, i konsiderojnë të kapura. Pra në këtë kuptim, ministri i larguar nuk është as një kundërshtar, as një njeri që mund të luftojë kundër Ramës, siç po e projektojnë kundërshtarët e këtij të fundit. Në rastin më të mirë, ai është thjesht një socialist i pakënaqur që ka humbur vendin e punës.
©Lapsi.al