Debutimi i Eros Grezdës nuk ishte ai më i miri, por sulmuesi shqiptar ka premtuar se me mbështetjen e Rangers do të përmirësohet më shumë, duke i dhënë kështu kontributin që pret tekniku Steven Gerrard nga ai.
I mbërritur në Skoci për 2 milion euro nga Osijek, por me një dëmtim në kavilje, 23 vjecari ka pritur ndeshjen me St Mirren për tu rreshtuar për herë të parë si titullar.
Megjithatë Grezda nuk ka mundur të lërë gjurmë në ndeshje, duke u zëvendësuar në minutën e 55 në Simple Digital Arena. Ndoshta edhe me pak mungesë fati, sepse goditi shtyllën pikërisht përpara se të zëvendësohej nga Daniel Candeias, që shënoi golin e parë të vonë në suksesin 2-0 të Rangers. “Mendova se topi po hynte në portë. Më duhej edhe pak fat, por e rëndësishme që fituam. Jam shumë i lumtur”
Por Grezda ka premtuar pas ndeshjes se do të përmirësohet edhe më shumë. “Nuk ishte keq, por nuk jam ende ku duhet sepse ishte ndeshja ime e parë si titullar. Jam shumë i lumtur, por do të bëhet akoma më mirë".
Sulmuesi i përfaqësueses së Shqipërisë ka treguar se nuk e ka vuajtur pjesën e qendrimit në pankinë për një kohë të gjatë, duke qenë se ishte koshient se vinte nga dëmtimi dhe në një kampionat të panjohur.
“Prisja shansin tim. Të gjithë e dinin se nuk luaja për një kohë të gjatë se isha i dëmtuar. Ndihem më mirë dhe po kthehem. Më duhen më shumë ndeshje dhe do jem gati".
Tekniku Steven Gerrard është shprehur i kënaqur me provën e Grezdës. “E pashë të rritej gjatë lojës. “Momentet e tij më të mira ishin me shumë mundësi 5 minutat e fundit në fushë. Goditi shtyllën, por nëse do të kishte shënuar do ta kishte ndihmuar shumë. Kaloi një dëmtim të keq, por do të përmirësohet akoma.”