Sipas Partisë Demokratike, Edi Rama dhe Vangjush Dako janë pengje të krimit, por i vetmi ndryshim mes tyre është se për kryebashkiakun e Durrësit dolën përgjime që provojnë lidhjet e tij me të fortët.
Nga selia blu, Ervin Salianji akuzoi Dakon se ka favorizuar bandat dhe përmend emra konkretë.
“Vangjush Dako u betua se nuk u ka bërë bandave asnjë favor, por Partia Demokratike provoi se Avdyljat kishin plazh privat në Durrës. Vangjush Dako, përveç përpëlitjeve qesharake, nuk tha cili është roli i tij në zgjerimin e biznesit të Avdylajve.
A e ka takuar Gjushi Cinen, një nga anëtar e bandës, për t’i siguruar ndërtimin e Avdylajve në det?
Vangjush Dako duhet të thotë mbi çfarë kriteresh Peposhët e Durrësit, që terrorizuan zonën e Shkozetit gjatë zgjedhjeve, kanë marrë parkimin tek sheshi i Stacionit të Trenit. Vangjush Dako duhet të thotë mbi çfarë kriteresh emëroi administrator në Sukth, Bert Hoxhën person me precedentë të rëndë kriminale bashkë me vëllain e tij Gëzim Dankshi/Hoxha i cili u shpall në kërkim, pasi sulmoi me armë përfaqësuesit e PD në fushatën e Dakos 3 vjet më parë.
Po persona të tjerë të lidhur me bandat e Durrësit apo të dënuar vetë për krime, që kanë mbledhur vota për Edi Ramën në zgjedhje, si:
Rud Taullai me linjat e transportit urban ka përfituar privilegjet e pushtetit të Vangjush Dakos dhe Edi Ramës? Kep Arapi me ndërtime në mijëra metra katrorë tek Gjiri i Lalzit ?
Ron Shqopa, Drejtor i rëndësishëm në Durrës?
Mbi çfarë kriteresh i kanë përfituar ata privilegjet e pushtetit të Vangjush Dakos dhe Edi Ramës?" - u shpreh Salianji.
Deputeti demokrat e mbylli deklaratën duke përsëritur dhe një herë kërkesën për arrestimin e Vangjush Dakos.