Kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se shkak për largimin e Fatmir Xhafajt nga detyra ishte dosja e Babales dhe frika e tij nga hetimet e kësaj çështjeje.
"Largimi i tij, ndryshe nga ç'përpiqet ta shesë propaganda e Rilindjes është rezultat i një dhe vetëm një faktori. Prej ditës së parë në atë karrige, kishte vetëm një merak; Si të shpëtonte të vëllain të dënuar për drogë. Dhe Fatmir Xhafaj i cili është larguar i shkatërruar. A keni dëgjuar të artikulojë një arsye se pse u dorëhoq nga detyra e Ministri të Brendshëm? E ka mbytur me terrin mediatik, me lloj lloj justifikimesh e barcaletash. Fatmir Xhafaj u largua nga frika e përballjes me përgjegjësinë e hetimit ndaj vartësve të tij, drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliut dhe njerëzit e tjerë që janë të përfshirë në manipulimin e dosjes. Një ministër që përfshihet në manpulimin e një dosjeje hetimore duhet të shkojë para drejtësisë, Fatmir Xhafaj u largua për t'i bërë bisht përgjegjësisë hetimit të dosjes së vëllait të tij, e cila u bë publike falë qëndresës së opozitës", tha Basha.
Dosja për të cilën flet Lulzim Basha është ajo e Albert Veliut, i njohur ndryshe si Babalja. Opozita ka nxjerrë bllof dëshmitarin Alfred Veliu me një video ku ai tregon se si ishte manipuluar dhe i ishin ofruar para për të pranuar aktrimin e vëllait të Fatmir Xhafajt.
Vetëm se sipas arsyetimit të Lulzim Bashës, rezulton se Fatmir Xhafaj pati frikë nga Arta Marku dhe prokurorët e saj dhe për këtë arsye dha dorëheqjen. Ky version nuk duket shumë i besueshëm, pasi Arta Marku ka pranuar të rreshtohet mes vartësve të tjerë të Fatmir Xhafajt që në fillim të detyrës së saj.