I ardhur dimrin e kaluar nga Arsenal dhe i shkëmbyer me Henrikh Mkhitaryan, Alexis Sanchez pritej të ishte elementi ideal për të mbështetur Romelu Lukaku në frontin e sulmit të Manchester United. Dhjetë muaj më pas, situata është përmbysur, me kilianin që ka përfunduar zëvendësues, duke mos gjetur vendin e tij në skuadrën e Jose Mourinho.
Autor i vetëm tre golave në Premier League në 24 prezenca në fushë me Djajtë e Kuq, ai nuk është veçse hija e vetvetes krahasuar me performancat te Barcelona dhe Topçinjtë. Një situatë poblematike, e cila e shtyn lojtarin të kërkojë largimin.
Në fakt, sipas Daily Mail, Alexis Sanchez nuk ndihet mirë në Manchester dhe i ka kërkuar agjentit të tij të gjejë një zgjidhje që këtë dimër për të mos vazhduar më qëndrimin në Old Trafford. Po sipas të përditshmes britanike, kiliani ka deklaruar se dëshiron t'i bashkohet Paris Saint-Germain, klub i cili e ka kërkuar prej një kohe të gjatë përpara se të merrte Neymar dhe Kylian Mbappé.