Pas debatit në “Open”/ A u trodhën gazetarët përballë Berishës?
Po pse ka vendosur ta lërë rolin 10 vjeçar të eminencës gri dhe të dalë nën dritën e prozhektorëve, Endri Fuga? Dëshira njerëzore për protagonizëm, të cilën ai e ka mbajtur të ndrydhur për më shumë se një dekadë, përjashtohet si argument. Po ta kishte brenda vetes do ta kishte bërë me kohë. Po atëhere? Më e mundshmja është ndryshimi i strategjisë politike nga Rama, i cili e ka kuptuar se personazhet e tij të vijës së parë janë diskredituar në publik dhe po përpiqet të shfaqet me fytyra të reja. Dhe këtu Fuga nuk përbën një përjashtim. Javët e fundit, pas shpërthimit njëri pas tjetrit të shumë skandaleve, Xhisiela, Fred Alizoti, Dako, që kjo shumicë nuk po i përballon dot, Rilindja ka "zhdukur” nga komunikimi me publikun ministrat dhe po i ndërron ata me zëvendësat e tyre të panjohur më parë. Kështu javët e fundit kanë qenë katër zv/ministrat: Besfort Lamallari, Julian Hodaj, Rovena Voda dhe Romina Kuko, që kanë përfaqësuar qeverinë në përballjet me gazetarët dhe kundërshtarët politikë në emisionet më të ndjekura në Shqipëri. Aktivë kanë qenë në të njëjtën kohë edhe zv ministrja e drejtësisë dhe ai i jashtëm Gent Cakaj. Ndoshta Rama, në pamundësi reale për t'i shkarkuar ministrat që kanë humbur pikë në publik po përpunon një tjetër strategji, atë të zëvendësimit mediatik të tyre me figura të pakonsumuara. Dhe ky ndryshim kursi ka mundësi të ketë ndryshuar edhe zakonet e Endri Fugës, duke e nxjerrë nga hija në plan të parë. Prandaj ai nuk replikon më me gazetarët përmes sms-ve të fsheha, por duke përdorur hapsirën e madhe të rrjeteve sociale, duke i dhënë fund kështu Endrit “të ndrojtur” që vepronte në hije. ©Lapsi.al