Arrestimet e 24 orëve të fundit nuk e entusiazmojnë opozitën, që përtej paradës së të prangosurve, sheh prishjen e hetimeve për një dosje të rëndësishme, ku është përfshirë "peshku i madh", Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit.
Nga selia e PD-së, Lulzim Basha u kujtoi gazetarëve se për këtë dosje ai ka vite që ka folur, kur ka përmendur përgjimet e anëtarëve të grupit kriminal pikërisht me Vangjush Dakon. Madje, Basha i quan "cironka" të gjithë të arrestuarit nga policia.
“Dosja hetimore mbi të cilën është vepruar përgjysëm natën e mbrëmshme është dosja e Vangjush Dakos. Peshku i madh i kësaj dosjeje është Vangjush Dako. Siç kam lajmëruar tash dy vjet, është kapur në flagrancë në përgjime zyrtare të Prokurorisë dhe partnerët ndërkombëtare në transaksione politike dhe financiare me krimin e organizuar. Pra në shkëmbim të votave për Partinë Socialiste, duke iu ofruar tendera dhe të tjera lehtësira grupeve kriminale të krimit të organizuar. Pra peshku i madh quhet Vangjush Dako të tjerët janë peshq të vegjël që po serviren për të shpëtuar peshkun e madh Vangjush Dako dhe për të shkatërruar provat dhe hetimet që të çojnë në arrestimin një orë e më parë të Vangjush Dakos" tha Basha.
Grupi i të fortëve të Shijakut, që drejtohet nga Astrit Avdulaj u godit gjatë një aksioni natën e së dielës. Prej dy vitesh dosja ka qenë nën hetim, tha shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, e cila konfirmoi se nga përgjimet kanë dalë edhe zyrtarë të Pushtetit Lokal. Por Donika Prela nuk përmendi emra dhe nuk specifikoi se në çfarë qytetesh janë funksionarët e pushtetit lokal që po hetohen lidhur me grupin kriminal të Avdulajve.
Ishte pikërisht nga përgjimet e këtij grupi, që morën rrjedhë edhe dy hetime të tjera, njëri për Arben Ndokën dhe tjetri për Arben Çukon, të dy të arrestuar nga forcat speciale. Sipas opozitës nga përgjime të tjera, ka dalë emri i Vangjush Dakos, por kjo po mohohet nga prokuroria.

Dyshimet për përfshirjen e Vangjush Dakos në marrëdhënie me elementë të krimit të organizuar u përforcuan pas refuzimit të vizës për të nga ambasada amerikane. Më herët, mediat zbuluan se Vangjush Dako kishte marrë përsipër punësimin e Lulzim Berishës në Bashkinë e Durrësit, një vendim që ndihmoi në lirimin e tij nga burgu.
Pas zbulimit të këtij fakti, Lulzim Basha tha se prokuroria kishte interceptime telefonike dhe tabulate që provonin komunikimin e Dakos me persona të inkriminuar. Sipas Bashës, dokumentet ishin në dorë të shërbimeve sekrete dhe të prokurorisë dhe në këto materiale, Dako premtonte tendera dhe kontrata në këmbim të mbështetjes për ditën e zgjedhjeve.
“Shërbimet inteligjente, përfshirë edhe ato të vendeve partnere, e kanë kapur gafil Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon. Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve, Dako u premton kriminelëve tendera. Janë miliona euro që Vangjush Dako u ka premtuar kriminelëve, vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtetin për Partinë Socialiste. Por këto pazare të ndyra tashmë janë të dokumentuara dhe janë nën hetim prej disa kohësh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Prokurorët i kanë të dokumentuara faktet që lidhin Vangjush Dakon me procesin mafioz të blerjes së votave. Prokurorët kanë tabulatet telefonike ku Gjushi u premton grupeve kriminale tenderat bë këmbim të blerjes së votave”Lulzim Basha, nëntor 2017

Vangjush Dako në anën tjetër bëri një padi për shpifje në gjykatë, ndërsa akuzat e Lulzim Bashës i quajti thashetheme.
“Me Lulzim Bashën jam i gatshëm të ballafaqohem në çdo studio apo shesh publik, për të gjitha ato që ai dhe altoparlantët e tij bërtasin për mua prej vitesh tashmë! E vetmja gjë qe nuk bëj dot për Lulzimin dhe partinë e tij është të fitojnë Durrësin, të cilin e kanë humbur thellë dhe më thellë, duke rënë poshtë dhe më poshtë në gropën që janë munduar të më hapin mua. Gjithë të tjerat me këtë lloj soji janë humbje kohe. Keqardhje për gjithë ata që dëgjojnë akoma Lulin dhe këtë opozitë pulash të lagura që bëjnë sikur janë ujq të tërbuar”Vangjush Dako, nëntor 2017./ Lapsi.al