Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas arrestimit të ish-drejtorit të Burgjeve Arben Çuko. Dikasteri i drejtuar nga Etilda Gjonaj, që është edhe Koordinatore Kombëtare e Task-Forcës Antikorrupsion shprehet se Çuko u shkarkua në datë 3 shtator nga detyra për keqmenaxhim të burgjeve dhe dyshimeve për korrupsion. Gjithashtu në njoftim theksohet se shkarkimi çoi në hetim të thelluar administrative dhe materialet e gjetura nga auditimi, i janë dërguar prokurorisë.
“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, në datën 3.09.2018 i kam propozuar Kryeministrit shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Çuko. Shkarkimi i tij imediat për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion, ka çuar në një hetim të thelluar administrativ. Në cilësinë gjithashtu edhe të Koordinatores Kombëtare të Task-Forcës Antikorrupsion i kam dërguar prokurorisë të gjitha materialet e konstatuara nga auditimi i brendshëm si shkelje të kryera në Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve” – thotë ministrja Gjonaj që shton se e përshëndet dhe e mbështet prokurorinë në zbardhjen deri në fund të veprimeve të ish-drejtorit.